Shpallja e zgjedhjeve në Serbi, në Kosovë po shihet si një opsion i Vuçiqit për të ikur nga situata e pafavorshme në dialog.
Më 26 tetor në Bruksel refuzoi çfarëdo nënshkrimi me të cilin e njeh Pavarësinë e Kosovës, ndërsa nga kjo javë Vuçiq fokusin do ta ketë në fushatën elektorale në Serbi.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq edhe pse e ka të sigurt postin e presidentit, por me partinë e tij synon kryetarët e 65 komunave dhe karrigen e Kryeministrit.
Shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Serbi, sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hysenit, është plan i Vuçiqit që shmanget nga pozicioni i pa-favorshëm në procesin e dialogut.
“Serbia po e shfrytëzon armën e saj të fundit shpalljen e zgjedhjeve në mënyrë që me e stagnu procesin e dialogut, por unë besoj që këtu do të duhet me pas një qasje ndryshe të Bashkimit Evropian dhe presion më të madh karshi Serbisë”, thotë Arbreshë Kryeziu, deputete e LVV-së.
Përpos zgjedhjeve në Serbi, në vitin 2024 mbahen edhe zgjedhjet presidenciale në SHBA, e po ashtu më 6 dhe 9 qershor votohet për zgjedhjen e deputetëve të Parlamentit Evropian.
Përkundër se përpara i kemi tri palë zgjedhje, Shefja e Komisionit për Punë të Jashtme, nuk mendon se do të ndikojnë në procesin e dialogut.
Nëse jo zgjedhjet në BE dhe SHBA, ato në Serbi sipas analistit Tomor Avdija janë të organizuara më së shumti me qëllimin që t’i iket dialogut dhe nënshkrimit të marrëveshjes.
Ai thotë se deri në fund të janarit Serbia do të largohet përkohësisht nga procesi i dialogut për shkak të zgjedhjeve, por nuk pret se amerikanët dhe evropianët do t’i tolerojnë gjatë.
“Serbisë i ka shkuar njohja de-facto dhe pa u pranua ky fakt nuk mundet me u zbatua as asociacioni as të shkohet në votim për të dhe as nuk mund të ndërmerren hapa të tjerë, të cilat janë kërkuar nga negociatorët, BE dhe SHBA. Nëse e bën një hap të tillë Qeveria jonë është gabim taktik në dialog dhe pastaj Serbia këto i godet shumë shpejt dhe i kthen në favorin e saj”, thotë analisti Tomor Avdija.
Në kryeqendrën evropiane nuk dihet nëse do të ketë takime për dialogun por në Prishtinë është e sigurt se po. Rreth orës 17:00 në aeroportin e Prishtinës ka aderuar, emisari Miroslav Lajçak.
Lajçak të hënën vonë është takuar me kryenegociatorin Besnik Bislimi ndërsa të martën do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive opozitare, e madje raportohet se do të shihet edhe me Listën Serbe.
Pas vizitës në Prishtinë nuk dihet nëse Lajçak do të vazhdojë udhëtimin për në Beograd./RTV Dukagjini