Administratorja e USAID, Samantha Power, është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në vizitën e saj në Serbi.
Siç ka njoftuar vetë Vuçiq në Instagram, me Power ka folur për raportet mes SHBA-së dhe Serbisë, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Një bisedë e rëndësishme, e hapur dhe thelbësore me Samantha Power për tema specifike dhe prioritare për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe ekonomik me SHBA, por edhe për situatën në rajon dhe sfidat aktuale gjeopolitike rajonale dhe globale”.
Duke folur për situatën në rajon dhe vazhdimin e dialogut, siç raporton RTS, Vuçiq “ritheksoi përkushtimin e Beogradit për këtë proces dhe gatishmërinë për të punuar në zbatimin e konceptit të propozimit europian me kufizime të caktuara në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, të cilat iu prezantuan në raste të ndryshme ndërmjetësuesve dhe zyrtarëve europianë dhe amerikanë”.
Vuçiq tha se kur ka folur për temën e dialogut i ka thënë diplomates amerikane se është i vendosur që të mos pranojë vendim të njëanshëm për serbët në Kosovë.
“E ritheksova gatishmërinë e vazhdueshme të Serbisë për të vazhduar dialogun me Prishtinën, por edhe vendosmërinë për të mos pranuar asnjë vendim të njëanshëm që kërcënon drejtpërdrejt të drejtat e komunitetit serb në Kosovë”.
Vuçiq tha se e ka falënderuar USAID-in për ndihmën që i ka dhënë Serbisë.
“Falënderova për ndihmën që USAID-i i dha vendit tonë përmes programeve të saj në sferën e forcimit të konkurrencës së ekonomisë serbe, si dhe diskutuam për potencialin për investime shtesë në infrastrukturën energjetike dhe fillimin e projekteve të reja me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe progresin e njëtrajtshëm ekonomik të Serbisë”