Dosja e akuzës ndaj serbit për krime lufte: E detyruan 15-vjeçarin ta mbante trupin e të ekzekutuarit në shpinë

by Nexhat

I akuzuari për krime lufte ndaj popullatës civile, Dushko Arsiq, është ulur sot sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat që i ngarkohen nga Prokuroria Speciale.

Në seancën e sotme u bë administrimi i provave materiale nga prokurori special i rastit, Atdhe Dema, i cili deklaroi se gjatë përmbledhjes së deklaratave të dëshmitarëve dhe të dëmtuarit Artan Krasniqi, kishte kuptuar se gjatë kohës kur kishte ndodhur rasti, i akuzuari Arsiq kishte qenë i armatosur dhe i uniformuar.

Sipas tij, dëshmitarët dhe i dëmtuari Artan Krasniqi, kishin deklaruar se i akuzuari Arsiq në bashkëveprim edhe më bashkëpjesëtarë të forcave paramilitare serbe kishin vepruar në drejtim të dëbimit, torturimit dhe maltretimit fizik dhe psikik të qytetarëve.

Ndërkaq avokati mbrojtës i të dëmtuarit Artan Krasniqi, Arsim Krasniqi tha se deklarata e të dëmtuarit që kishte dhënë në polici, prokurori dhe gjykatë ishte bindëse dhe në përputhje me njëra-tjetrën, duke shtuar se i dëmtuari kishte bërë edhe identifikimin e të akuzuarit Arsiq në mesin e dhjetë personave përmes fotografisë

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Arsiq, avokati Nebojsha Vllajiq propozoi që si provë materiale të elaborohen libreza ushtarake e të akuzuarit, që sipas tij, vërteton se ku i akuzuari e kishte kryer shërbimin ushtarak.

Ndërsa libreza e punës e të akuzuarit Arsiq, do të vërtetonte që i njëjti ka punuar në Komunën e Prishtinës nga muaji janar i vitit 1998.

Të dyja këto prova avokati Vllajiq ia dorëzoi gjykatës.

Provat e propozuara nga avokati Vllajiq u kundërshtuan nga prokurori Dema. Pas këshillimit të trupit gjykues, të njëjtat u aprovuan.

Në këto rrethana seanca e sotme u ndërpre dhe shqyrtimi gjyqësor i ardhshëm lidhur më këtë çështje pritet të mbahet me 19 dhjetor.

Sipas dosjes së prokurorisë, Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë Serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës më saktësisht në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.

Tutje sipas Prokurorisë të njëjtit kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pastaj të njëjtave ua kanë vënë zjarrin me qëllim të dëmtimit të tyre e po ashtu ka marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve ku disa prej tyre i kanë plagosur e disa prej tyre i kanë vrarë, thuhet në aktakuzë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy