Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Viktor Buzhala, ka thënë se vetë supermarketet kanë blerë monedha false dhe ua kanë kthyer ato qytetarëve.
Të enjten në ‘Konfront” të KTV-së, Buzhala ka deklaruar se zgjidhja më e mirë sipas tij, është që monedha dy-euroshe të tërhiqet përkohësisht prej qarkullimit dhe të rifutet sërish pasi të pastrohet tregu.
“Policia nuk e ka pasur shumë vështirë që ta dijë se kush po i falsifikon ato mjete. Ekonomia funksionon në mënyrë zinxhirore, dikush i ka futur ato në treg dhe i përcjell hapat. Të ndiqet burimi dhe Policia jonë që është mjaft e specializuar në hetimin e aktiviteteve kriminale, nuk do ta ketë problem. Por, ka munguar vullneti, është neglizhuar apo mund edhe të ketë pasur bashkëpunim. Vetë supermarketet kanë blerë monedha dhe ua kanë kthyer qytetarëve. Zgjidhja më e mirë në këtë rast është që të tërhiqet përkohësisht prej qarkullimit monedha dy-euroshe, pastrohet tregu e pastaj të rifutet sërish në qarkullim”, ka thënë ai
Sipas tij, janë dy mënyra për t’i mbrojtur bizneset dhe konsumatorët.
“Tërheqja ose krijimi i një task-force nga Qeveria e Kosovës. Krijimi i një task-force ku bartës duhet të jetë Ministria e Punëve të Brendshme, që të mos e lejojë qarkullimin e këtyre mjeteve në ekonomi. Pra, të hetojë se kush po i prodhon dhe kush po i fut në treg”, ka theksuar ai.