Vrasja e Liridona Ademajt, deklarohen nga Prokuroria: Jemi duke zhvilluar hetime intensive

by Nexhat

Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke zhvilluar hetime intensive rreth rastit të vrasjes së Liridona Ademajt. Deri më tani për vrasjen e saj janë arrestuar katër persona përfshirë bashkëshortin, Naim  Murseli që dyshohet se ka porositur vrasjen e saj. E në paraburgim bashkë me Murselin gjenden edhe dorasi, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tomë Dodaj. Ajo u vra më 29 nëntor, në mënyrë makabre në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Bërnicëtë Prishtinës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke kryer hetime intensive lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor të këtij viti.

banner

Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj ka thënë për Express, se policia me institucionet relevante po punojnë në mënyrë intensive që ky rast ta merr epilogun përfundimtar.

Ndërkaq tha se në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje të tjera.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për këtë çështje penale mund t’iu njoftojmë se prokuroria në koordinim të plotë me policinë e institucionet relevante po punojnë intensivisht që ky rast ta merr epilogun përfundimtar. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim detaje nga hetimet, deri në një fazë tjetër”, ka thënë ajo për Express.

Ndërkaq ishte kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi ai që deklaroi se hetimet kanë marrë drejtimin e duhur, por ka shtuar se ato se mund të zgjasin deri në dy vjet.

Munishi theksoi në Euronews Albania se rasti po trajtohet nga një prokurore serbe, pasi prokurorja e mëparshme e ka dorëzuar vetë rastin.

“Hetimet kanë marrë drejtimin e duhur dhe puna që është bërë deri tani është një punë e arrirë. Nuk mund të them saktësisht se sa kohë do të marrë specifikisht kjo ngjarje, por për hetime dhe dosje të tilla mund të duhen deri në dy vite kohë as sa dhe është e parashikuar ligjërisht. Hetimet kanë një afat njëvjeçar por mund të shtyhen edhe në afat dyvjeçar. Hetimet kanë arritur në një pikë të caktuar, por nuk mund të kemi një datë të saktë për përfundimin e tyre dhe nuk mund të ndajmë detaje se çfarë kemi zbuluar deri tani për shkak të sekretit hetimor”, tha Munishi në Euronews.al.

Kryeprokurori deklaroi tutje se nuk mund të ketë informacione nëse pritet që të arrestohet edhe ndonjë person tjetër për këtë rast.

“Nuk mund të them nëse do të ketë persona të tjerë që do të shoqërohen apo arrestohen për këtë ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik. Sa i përket prokurores së çështjes, është e vërtetë që ajo është serbe dhe po e heton e vetme rastin. Nëse do të ketë nevojë për shtimin e ekipit, sigurisht që kjo do të ndodhë. Prokurorja e mëparshme e ka dorëzuar vet çështjen, pasi ngjarja ndodhi kur ishte ajo në turn, ajo ka bërë hetimet paraprake dhe aty ka përfunduar puna e saj. Më pas bazuar në procedurat ligjore, shqyrtohen numra rendor të planifikuar më herët dhe kësaj radhe rasti i takonte prokurores aktuale. Në përfundim të të gjithë procesit hetimor do të ketë dhe një njoftim nga Prokuroria e Prishtinës për vrasjen e Liridona Ademajt” tha ai.

Si ndodhi rasti – çka tha Gjykata kur u caktoi nga një muaj paraburgim?

Tre të dyshuarit për krimin e rëndë, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ndodhen në paraburgim. Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”,  derisa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

Caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për secilin veç e veç, Gjykata e ka arsyetuar “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale”.

Në këtë njoftim, Gjykata kishte treguar edhe dyshimet se si kishte ndodhur rasti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftim.

Së fundmi Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim edhe të dyshuarit të katërt për këtë rast. Fjala është për Tomë Dodaj.

Dodaj dyshohet t’ia ketë shitur armën Naim Murselit e Granit Plavës në ditën kur është kryer vrasja.

Kështu thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës- tani të ndjerës L.M”, thuhet në vendim

Si u tentua të fshehej rasti?

Ky rast fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë u tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur  i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dalip Alshiq, Prishtinë  29.11.2023 –20:26.  Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja  e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy