Gara e përgjakur në autostradë- Sveçla dhe drejtori i Policisë japin detaje, vëllai i të dyshuarit del me një version

by Nexhat

Në orët e vona të së shtunës që lamë pas tre persona vdiqën në Prizren. Ata ishin duke e shikuar një garë ilegale mes dy veturave, derisa njëra veturë i goditi ata për vdekje dhe tre të tjerë mbetën të lënduar. Sveçla ka thënë se grupi i njëjtë kishte organizuar gara edhe më parë, të cilat ishin parandaluar dy herë nga Policia, ndërsa drejtori i Policisë ka thënë se nga 1 prilli janë parandaluar 50 organizime të tilla. Lidhur me rastin, vëllai i njërit të dyshuar, ka dalë me një version, ku tenton ta shfajësoj atë.

Më 16 dhjetor, rreth orës 22:45, një garë ilegale është zhvilluar mes dy veturave në autostradën “Ibrahim Rugova”, në Prizren. Njëra nga veturat ka goditur gjashtë persona, tre prej të cilëve kanë vdekur: Lordon Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj.

banner

“AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET- Autostrada-Ibrahim Rugova, (km-15) 16.12.2023-22:45. Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore.”

Për këtë rast janë arrestuar shoferët e dy veturave, Arlind Syla dhe Irfan Hoti, të cilëve tashmë u është caktuar masa e paraburgimit. Ata dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Rrezikimi i trafikut publik që ka  rezultuar me vdekjen e një apo më shumë personave.

Sipas Gjykatës Arlind Syla dhe Irfan Hoti ishin marrë vesh paraprakisht për garën e cila ua mori jetën tre të rinjve që po e ndiqnin atë.

“Me datë 16 dhjetor 2023, rreth orës 22:30, në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prizren, saktësisht me dashje dhe në bashkëkryerje, veprojnë në kundërshtim me Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht, merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që të pandehurit, A.S., dhe I.H., lëvizin paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast i pandehuri A.S., humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin  tjetër i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime trupore të dëmtuarve M.Z., S.Z., dhe B.P., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke e ndjekur zhvillimin e garës automobilisitke në mes të të pandehurve“, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Konferenca e Sveçlës me drejtorin e Policisë

Pas këtij rasti tragjik, sot ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë Gazmend Hoxha kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se grupin e njëjtë Policia e kishte parandaluar dy herë në organizimin e garave të tilla. Madje ai shtoi se njërit nga të dyshuari i është konfiskuar patentë shoferit për tejkalim të shpejtësisë dhe filmim e publikim të garave.

“Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të këtyre garave”, tha Sveçla.

Sveçla bëri të ditur se këtë vit 104 qytetarë kanë humbur jetën në aksidente, ndërsa Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike.

Në mesin e masave të ndërmarra për parandalimin e përsëritjeve të këtyre aksidenteve, Sveçla tha se “zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore” dhe se janë futur në funksion “vetura me pajisje inteligjente për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion”.

Poashtu Sveçla tha se do të kërkojë që organizimi i garave të jashtëligjshme të cilësohet si vepër penale.

“Meqenëse plotësim- ndryshimi i ligjit për trafik është në kuvend, nga komisionet e përhershme do të kërkojë një amandament të ri ku organizimi i garave të paligjshme do të cilësohet si vepër penale. Patjetër që kjo pastaj do të kërkojë ndryshimet në Kodin Penal, por jemi të vendosur që këtë lloj aktiviteti ta ndalim maksimalisht”, tha ai.

Ndërsa, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se nga 1 prilli ka nisur zbatimi i planit operativ “Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete”. Sipas tij, që atëherë janë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrësit, 10 automjete janë konfiskuar edhe janë parandaluar 50 gara ilegale në të gjitha rajonet”.

“Këto janë masat që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës me qëllim parandalimin e garave. Njësia e kontrollit të autostradave ka hartuar planin operativ “Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete”, i cili ka filluar të zbatohet me më 1 prill. Në kuadër të këtij plani Njësia e kontrollit të autostradave dhe  drejtoritë rajonale të Policisë kanë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrës në këto gara, ka konfiskuar 10 automjete dhe ka  parandaluar rreth 50 gara ilegale në të gjitha rajonet e Kosovës”, tha Hoxha.

Reagimi i vëllait të njërit nga të dyshuarit

Mbrëmë, vëllai i Irfan Hotit, Qamili, në një grup në Facebook, ka publikuar pamje të reja të aksidentit dhe ka shkruar një reagim, përmes të cilit është munduar ta shfajësojë vëllain e tij.

Ai në një grup të Facebook-ut, fillimisht i ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

Qamil Hoti ka thënë se garën nuk e ka organizuar vëllai i tj.

Ai ka thënë se njëri nga të ndjerit, Nue Bibaj, kishte kërkuar që veturën e tij ta vozisë Irfan Hoti, që ndodhet në paraburgim.

“Nue Bibaj kishte kerkuar qe veturen e tij ta vozit vellau im Irfani, fillimisht Irfani nuk pranon por me insistimin e te ndjerit Nue Bibaj, Irfani pranon qe ta ngiste makinen e tij.”

Në njoftimin e Gjykatës thuhej se “në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast i pandehuri A.S., humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin  tjetër i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët”.

Këtë e ka mohuar Qamili, i cili tha se aksidenti ka ndodhur pasi vetura Golf 5 ka frenuar dhe për shkak të motit të keq ka rrëshqitur.

“Un pash qe ne media dhe ne rrjete sociale po flitet qe Irfani i eshte afruar makines golf 5 duke i penguar qarkullimin ne rrug dhe per ate arsye shoferit tjeter i humbi kontrolli ne vetur. Por nuk eshte e vertete. Gara filloj dhe pas disa metrave makina golf 5 frenon dhe per shkak te motit te keq ajo rreshqet dhe humb kontrollin duke goditur kembesoret qe ishin duke e shikuar ngjarjen dhe per pasoj le te vdekur 3 persona dhe lendon 3 te tjer”, ka thënë ai. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy