Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë në Gjilan ka larguar të gjitha kamerat ilegale në komunat me shumicë serbe në Komunën e Gjilanit.
Gazeta “Enigma” mëson se mëngjesin e së premtes, prokurori Agron Uka ka dhënë urdhër për t’i larguar kamerat, të cilat dyshohet se janë të kontrolluara nga Beogradi dhe janë të vendosura në fshatrat serbe
Të shoqëruar nga Policia e Kosovës, punëtort e KEDS-it kanë asistuar në largimin e këtyre kamerave.
Aksioni është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini
Ajo tha se janë sekuestruar rreth 50 kamera në fshatrat serbe në Rajonin e Gjilanit, pasi dyshohet se të njëjtat janë përdorur për fotografime dhe incizime të paautorizuara.
“Ju njoftojmë se me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan, Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 50 kamera në fshatrat serbe në regjionin e Gjilanit, pasi dyshohet se të njëjtat janë përdorur për fotografime dhe incizime të paautorizuara”, ka konfirmuar Liridona Xheladini
“Rasti është kualifikuar si ‘’Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara’’, nga neni 202 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.