Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, sot në një takim me gazetarët ka folur për vitin 2023 dhe aktualitetin politik në Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se shqiptarët kudo që jetojnë, nuk duhet që në asnjë moment ta humbin besimin dhe përcaktimin për integrim në BE. Thaçi tha se partia e tij i ka zbutur disa kërkesa, në emër të euro-integrimeve, njofton Telegrafi Maqedoni
“Ndoshta iu duket se flas shumë për bashkësinë ndërkombëtare. Mesazhi i PDSH-së për shqiptarët është se edhe pse kemi vërejtjet tona, na duket ndonjëherë se perëndimorët nuk janë korrekt me ne, se e përkdhelin Serbinë dhe maqedonasit, ne nuk duhet në asnjë milisekond ta humbim besimin dhe përcaktimin drejt tyre”
“Gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, në asnjë moment nuk duhet të lëkunden nga kjo rrugë. Ne i kemi gdhendur, për mos thënë i kemi zbutur kërkesat tona, duke filluar prej kohës së Skënderbeut, Adem Jasharit, e deri të veprimet e PDSH-së, në emër të një kompromisi – ne të jemi pjesë në familjen e evropiane dhe perëndimore, ku amerikanët janë ata që vendosin. Liderët tjerë kur flasin për këto pacaktime flasin si papagall, nuk e dinë çfarë do të thotë”, tha Thaçi
Ai theksoi se “ekzistenca dhe veprimi politik i tyre, nuk kanë kurrfarë kuptimi jashtë rrugës së BE-së”.