“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar si subjekt në Maqedoninë e Veriut dhe nuk është duke kërkuar pushtet atje”, thonë zyrtarë të kësaj partie për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, ata pranojnë se partia, e cila udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkëpunon me parti të caktuara në Maqedoninë e Veriut dhe se anëtarë të saj, me shtetësi maqedonase, do të marrin pjesë në zgjedhjet e atjeshme parlamentare, që do të mbahen më 8 maj të këtij viti.
Angazhimi i përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në garën zgjedhore të shtetit fqinj ngjalli disa reagime.
Njohësit e zhvillimeve politike në të dyja vendet thonë se veprimet e partisë që mban pushtetin në Kosovë, ka rrezik të shihen si përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që vetë Kurti siguroi se Vetëvendosja, si parti, nuk do të marrë pjesë në ato zgjedhje.
“Së pari, u përket qytetarëve këtu [në Maqedoninë e Veriut], u përket partive politike nëse do të kenë kandidat dhe kush do të jetë ai ose ajo. Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut… Andaj, edhe ne, si Lëvizje Vetëvendosje, nuk marrim pjesë këtu”, tha Kurti pas një konference për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt në Shkup më 22 janar.
Si filloi?
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, tri partitë shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut – Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike – paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e 8 majit.
Bekim Qoku, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka edhe shtetësi maqedonase, tha se partia e tij do t’i bashkohet kësaj liste.
“Unë, sot, jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizje Vetëvendosje… një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni, tashmë të etabluar këtu”, tha atëkohë Qoku, i cili është edhe këshilltar politik i kryeministrit Kurti.
I befasuar me këtë angazhim të Vetëvendosjes në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut tha se është kryeministri i këtij vendi, Dimitar Kovaçevski, njëherësh kryetar i Lidhjes Social-Demokrate (LSDM).
“Kjo mendoj se nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar”, tha ai më 25 dhjetor.
Një tjetër reagim më 17 janar bëri ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke thënë se “përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare – tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.
Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me Qokun, për të kuptuar më shumë se cilat janë qëllimet e tij.
Por, Lëvizja Vetëvendosje, deklaratat e përfaqësuesve të saj – njëherësh zyrtarë të pushtetit në Kosovë – thotë se nuk i sheh si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Nga kjo parti këmbëngulin se Vetëvendosja nuk do të marrë pjesë si subjekt politik në zgjedhjet e atjeshme dhe se ajo nuk është e regjistruar si parti në këtë shtet.
I pyetur për të komentuar deklaratat e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bekim Qoka, zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, thotë për Radion Evropa e Lirë:
“Lëvizja Vetëvendosje ka simpatizantë dhe anëtarë me etni shqiptare, por edhe me etni të tjera, që janë nënshtetas të vendeve të ndryshme, në shumë vende të botës, dhe ata patjetër që kanë të drejta politike sipas ligjit në vendet ku janë nënshtetas”.
Manxhuka thotë se përkrahja e Lëvizjes Vetëvendosje për subjekte apo politikanë të vendeve të ndryshme “është ekskluzivisht përkrahje e ideve dhe programeve të tyre, sipas tri shtyllave: socialdemokracisë, luftës kundër korrupsionit e mafias dhe luftës kundër diskriminimit etnik të shqiptarëve, por edhe të etnive të tjera”.