Situata ekonomike në vend, Ilir Meta: Bizneset e ndershme po falimentojnë, pastrimi i parave po lulëzon

by Nexhat

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë me gazetarët foli për situatën ekonomike, financiare dhe sociale në vend, ku u shpreh se po shënon një regres të pandalshëm.

Meta u shpreh se bizneset e ndershme po falimentojnë, ndërsa pastrimi i parave po lulëzon.

Deklarata e plotë e Kryetarit të Partisë së Lirisë:

Situata ekonomike, financiare dhe sociale në vend po shënon një regres të pandalshëm.

Treguesit ekonomikë gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në muajin dhjetor 2023 na prezantojnë  një  rritje të mëtejshme të varfërisë së qytetarëve për shkak të një ekonomie, që po bëhet gjithmonë e më pak konkurruese

Rënia e importeve të lëndëve të para dhe atyre ushqimore me rreth 8.2 % krahasuar me një vit më parë si dhe rënia e konsumit, veçanërisht në muajin e festave të fundvitit, krahasuar me një vit më parë, provon uljen e kërkesës së ekonomisë dhe të konsumatorëve.

Një tregues i rritjes së varfërisë në vend është fakti se vetëm në muajin dhjetor 2023 importet u ulën me 23.1% krahasuar me dhjetorin 2022, ç’ka dëshmon thellimin e krizës për shkak të rritjes abuzive të çmimeve.

Gjatë vitit të kaluar eksportet gjithashtu shënuan tkurrje me 9.5% krahasuar me vitin 2022.

Rënia e eksporteve në 2023 është madje më e lartë edhe se në vitin 2020, kur prodhimi dhe shitjet u bllokuan për muaj me rradhë për shkak të pandemisë.

Zhvlerësimi i qëllimshëm i euros vlerësohet një nga faktorët që i ka dhënë goditjen më të madhe eksportuesve, krahas shtimit të kostove dhe konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare.

Industria e tekstileve dhe këpucëve, që punon me material porositësi (fason) dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend (kryesisht shtresave me të ardhura të ulëta), kaloi në veçanti një situatë tepër të vështirë në 2023, e ndikuar nga rritja e kostove dhe sidomos nga cvleresimi i euros.

Shoqata e Eksportuesve njofton përditë mbylljen e kompanive dhe shkurtimin e punonjësve, teksa shumë partnerë po i zhvendosin porositë në vende me kosto më të lira prodhimi, si Tunizi, Marok dhe Egjipt.

Ndërsa bizneset e ndershme falimentojnë, bizneset që pastrojnë para, sidomos në sektorin e ndërtimit lulëzojnë.

Fakt janë dhjetëra leje që jepen pa kursim në Tiranë, përmes një vendimmarrje jo transparente të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Mbivlerësimi i lekut është dëshmia e plotë e rritjes së volumit të pastrimit të parave në të gjitha format dhe e mbështetur hapur nga Qeveria.

Në raportin e saj të fundit FMN e bëri të qartë se “mbiçmimi i shpejtë i lekut që nga viti i kaluar nuk shpjegohet plotësisht nga bazat ekonomike”.

“Boshllëqet e të dhënave mbi pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet e ndërtimit pengojnë një vlerësim të plotë të financimit të ketij sektori nga paratë e pista. Mbikëqyrja e zgjeruar e pasurive të paluajtshme dhe ndikimi i sektorit të ndërtimit në stabilitetin financiar janë thelbësore”, – vlerëson gjithashtu FMN

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy