Bashkimi Evropian ka konfirmuar se i dërguari i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas vizitës sot në Beograd, nesër do të jetë në Prishtinë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se ky takim është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t’i ndihmuar të ecin përpara në dialog.
“Mund të konfirmoj se EUSR Lajčák takohet me presidentin serb Vuçiq sot në Beograd dhe nesër do të jetë në Prishtinë për takime me homologët e Kosovës. Kjo është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t’i ndihmuar ata të ecin përpara në procesin e Dialogut të lehtësuar nga BE”, tha Stano në një përgjigje dhënë për Reporteri.
Lajçak do të takohet me Vuçiqin sot në ora 12:30, për të vazhduar më pas për në Prishtinë.
Këto takime vijnë pikërisht para se të hyjë në fuqi rregullorja e re e BQK-së, për përjashtimin e dinarit serb si valutë e përdorshme për transaksione në vend.
Gjatë ditës së djeshme, vendet e QUINT-it kërkuan që të pezullohet zbatimi i këtij vendimi.
Theksojmë se pas 14 shtatorit nuk ka pasur më takime në nivelin më të lartë politik në kuadër të Dialogut.
Në fund të muajit dhjetor Lajçak kërkoi që si Kosova poashtu dhe Sebia të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Kosova të ecë para me themelimin e Asociacionit dhe Serbia paralelisht të përmbushë pjesët thelbësore të obligimeve të saj.
“Presim që të dyja palët të veprojnë në frymën e dialogut dhe pajtimit me retorikën dhe veprimet e tyre. Situata në veri të Kosovës është e ndjeshme/e brishtë dhe siç e kam thënë shumë herë, nuk mund të kemi as përshkallëzim, as tensione dhe progres në normalizimin e marrëdhënieve njëkohësisht. BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën për të siguruar që proceset ligjore dhe sundimi i ligjit respektohen plotësisht. Të gjithë pajtohen se qytetarët e veriut të Kosovës, pavarësisht nëse janë nga komuniteti shumicë apo joshumicë, duhet të gëzojnë të mirat e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Shumë nga këto çështje do të kanalizoheshin dhe menaxhoheshin përmes Asociacionit. Kjo është një arsye tjetër pse është urgjente që Asociacionit të krijohet pa vonesë. Më duhet gjithashtu të përsëris edhe një herë se dialogu nuk mund të anashkalohet sepse është e vetmja platformë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura dhe burimeve potenciale të fërkimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo konfirmohet nga të gjitha deklaratat e fundit zyrtare të Bashkimit Evropian dhe konkluzionet e Këshillit Evropian”, kishte thënë Lajçak