Haradinaj: Kosova të tregojë fleksibilitet në trajtimin e çështjes së dinarit

by Nexhat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj e cilëson të drejtë vendimin e Bankës Qendrore për të hequr nga përdorimi dinarin, në zonat e banuara me shumicë serbe. Ai thotë se dinari është i jashtëligjshëm e se Kosova, e ka detyrim të zbatojë një ligj në vend. Megjithatë zoti Haradinaj shton se Kosova mund të tregojë fleksibël mbi këtë çështje, për një periudhë kohore të caktuar.

Gjatë intervistës me Zërin e Amerikës Haradinaj flet dhe mbi mundësitë për ripërtëritjen së shpejti të procesit për zbatimin e marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes Kosovës dhe Serbisë. Ai bëri fajtore qeverinë Kurti që merret me mini-kriza siç tha ai, duke harruar qëllimet strategjike, siç është anëtarësimi i vendit në NATO. Kjo thotë zoti Haradinaj, do t’i jepte zgjidhje, problemeve “që mundohet të na shkaktojë Serbia”, në aspektin e sigurisë

banner

Haradinaj foli dhe mbi paralajmërimet për tërheqje të bëra nga ekipi i avokatëve mbrojtjes të ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë, për shkak se nuk është paguar nga ky i fundit.

Për Haradinaj, do të ishte e dhimbshme që Kosova të linte palën mbrojtëse, pa buxhet.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, përplasja më e fundit mes Kosovës dhe Serbisë është mbi çështjen e përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe. Banka Qendrore duket se nuk është tërhequr nga vendimi i saj që euro të jetë monedha e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në vend, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare. Sipas mendimit tuaj a po hyn Kosova në një cikël të ngjashëm me atë të targave të makinave dhe a duhet që Banka, ta pezullojë një vendim të tillë?

Ramush Haradinaj: Besoj se çështja e dinarit të Serbisë në Kosovë, nuk është ligjore, përdorimi i kësaj monedhe dhe mendoj që Banka Qendrore ka ndërmarë veprimin e duhur. Në rast se ka vështirësi praktike në zbatim ia vlen një fleksibilitet në kohë, si dhe të mundësohet për shembull konvertimi i dinarëve, apo të hyrave ekzistuese. Mirëpo nuk mund të jetë një praktikë e vazhdueshme, nuk mund të vazhdojë financimi i serbëve të Kosovës nga Serbia në dinarë, pasi dinari nuk është valutë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Po nga ana tjetër si e shikoni ju trysninë (qëndrimin) e Perëndimit. Në këtë rast dua t’i referohem edhe qëndrimit të Federica Woelk, asistente në Parlamentin Evropian e cila e ka cilësuar ndërhyrje në Kushtetutën e Kosovës si dhe kritikoi ashpër bllokun për politikë të padrejtë ndaj Prishtinës në raport me Serbinë.

Ramush Haradinaj: Besoj që Kosova ka interes t’i zbatojë detyrimet e marra nga dialogu, pasi ne nuk besoj se duam të mbetemi në një status-quo, apo situatë të menaxhimit të krizave të vazhdueshme. Por çështja e dinarit pra, mundet Kosova të jetë fleksibël, në një periudhë kohore të caktuar. Por dinari është i jashtëligjshëm në Kosovë. Pra Kosova e ka obligim të zbatojë një ligj në Kosovë, pra një rregull monetar dhe nuk mundet të bëjë toleranca ndryshe atëherë do të mundeshin të operonin monedha të tjera, valuta të tjera, pra nuk do të kishte rregull në treg.

Zëri i Amerikës: Pra për ta sqaruar, ju po bini dakord ta shtyjë vendimarrjen… ta pezullojë përkohësisht… ta bëjë pjesë të bisedimeve ndoshta?

Ramush Haradinaj: Jo jo, vendimi është ligjor, mirëpo në rast të praktikave të zbatimit Kosova, mundet të tregojë fleksibilitetet kohor në zbatim në mënyrë që të eleminohen ato pengesat e para që kanë dalë në praktikë…

Zëri i Amerikës: I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ndodhet sot në Prishtinë, për një nxitje të zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar. A mendoni se do të ketë një rigjallërim të procesit së shpejti?

Ramush Haradinaj: Besoj se për Kosovën është me shumë interes me dalë nga status-quoja dhe nga menaxhimi i krizave, pra krizave të vogla që shkaktohet dhe sidomos ato që lidhen me sigurinë në veri. Pra ne e zgjidhin çdo problem të sigurisë, nëse ne kualifikohemi si të suksesshëm në dialog dhe na hapet procesi i anëtarësimit në NATO. Pra ne përmes anëtarësimit në NATO, si qëllim strategjik, do të zgjidhnim të gjitha mini problemet e tjera, jo vetëm në veri, por në gjitha aspektet e tjera të sigurisë në Kosovë.

Edhe qëllimi im i kësaj vizite edhe në departamentin e Shtetit Department, në Pentagon, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pra në Shtëpinë e Bardhë, edhe në të gjitha nivelet në Kongres, në Senat, e ka vetëm një kërkesë, të ngrejmë nivelin e marrëdhënieve Kosovë-Amerikë, e dialogut strategjik të cilin ende nuk e ka Kosova dhe njëkohësisht ta ngrejmë nivelin e marrëdhënieve në NATO. Pra të hapet procesi i anëtarësimit të menjëhershëm të Kosovës në NATO. Besoj që qeveria Kurti po gabon. Pra me marrjen një nga një me këto mini-krizat, duke harruar qëllimin strategjik që është kualifikimi ynë para partnerëve, para aleatëve, për anëtarësim në NATO. Pra, anëtarësimi në NATO do të na i zgjidhte problemet që mundohet të na shkaktojë Serbia, terroristët e përkrahur nga Serbia…

Zëri i Amerikës: …Çfarë duhet të bëjë ndryshe qeveria Kurti në këto momente?

Ramush Haradinaj: Duhet menjëherë të përgatisë një plan të përbashkët me Amerikën në këtë rast, me BE-në, për implementim të obligimeve që kemi marrë ne si Kosovë, me qëllim që të marrim pra anëtarësimin në NATO. Vetëm anëtarësimi në NATO i mbyll pra rreziqet për Kosovën. Ndërsa ngecja këtu ku jemi, në një lloj tash status quo-je, mosecja përpara me qëllimin strategjik të integrimeve euroatlantike do të na mbajë çdo herë si palë e përshtatshme për t’u përballur me rreziqe që na i shkakton Serbia, terroristët që i sponsorizon Serbia.

Zëri i Amerikës: Përfshirë këtu edhe çështjen e asocacionit?…

Ramush Haradinaj: …Është obligim. Është obligim asocacioni. Mirëpo për sa i përket asocacionit, sikurse e dimë, ka vërejtje serioze në draftin e propozuar dhe drafti duhet të kalojë nëpër filtrin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë pra që të mos lejohet në asnjë mënyrë shkelja e kushtetueshmërisë, daljea nga kushtetueshmëria, sovraniteti dhe integriteti territorial.

Zëri i Amerikës: Edhe qëndrimi juaj është i tillë? E keni parë draftin? Mendoni që ka probleme?

Ramush Haradinaj: Po, po. I kemi dhënë vërejtjen tona për draftin. Edhe nëse shkon në Gjykatë Kushtetuese, nga qeveria nëse dërgohet pra, edhe atje do të dërgojmë amendamentet tona, edhe vërejtjet tona për draftin.

Zëri i Amerikës: Çfarë duhet të ndodhë me çështjen e zgjedhjeve në veri? Duket sikur ka një ngecje, megjithëse firma për peticionet janë mbledhur. Megjithatë nuk ka një përshpejtim të këtij procesi. Kur duhet të ndodhë dhe si?

Ramush Haradinaj: Mendoj që Kurti është gabim. Qeveria jonë është gabim. Qeveria po u jep serbëve një opsion të peticionit, për shkak se nuk ka ekzistuar deri më sot në Kosovë, peticioni i tillë politik, i pastër politik. Më mirë do të ishte që qeveria të ndërmarrë një veprim të vetin, në këtë rast të shpalljes së zgjedhjeve me dorëheqje të kryetarëve. Për shkak se i gjithë procesi, edhe i peticioneve, edhe i shkarkimit të kryetarëve të tashëm, udhëhiqet nga Beogradi. Nuk është në dobinë tonë, në interesin tonë nacional, që këta kryetarë ta zëmë, që i ka vendosur një proces i Kosovës, të na i shkarkojë Beogradi.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, sot u bë e ditur se ekipi i mbrojtjes së ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë, ka paralajmëruar se do të tërhiqet për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve financiare nga ana e zotit Thaçi. Ministria e Drejtësisë tha se ka kryer pagesat për avokatët me të cilët ka marrëveshje. Si mund të pasqyrohet kjo situatë në mbrojtjen e zotit Thaçi, duke patur parasysh që ju keni patur dhe një eksperiencë të ngjashme në Hagë. A mund të ketë një rrugëdalje?

Ramush Haradinaj: Në kohën time, Kosova nuk ka mbuluar asnjë shpenzim, pra shteti i Kosovës, asnjë shpenzim mbrojtës për mua, ose për kolegët e mi. Edhe herën kur isha i ndaluar në Francë, edhe pse parlamenti i Kosovës votoi një rezolutë për të mbuluar shpenzimet e gjykimit tim në Francë, megjithatë asnjëherë nuk janë paguar. Tani ka një ligj. Pra është detyrim ligjor i Kosovës për t’i mbuluar shpenzimet e mbrojtjes. Edhe unë mendoj se Kosova duhet të kryejë obligimin ligjor, pra ligji obligon Kosovën, qeverinë e Kosovës, për t’i mbuluar shpenzimet e mbrojtjes. Kjo edhe për barazinë e palëve, që i thonë. Janë dy palë. Pala që e akuzon dhe pala që mbrohet. Pala që e akuzon, në këtë rast prokuroria, gjykata, kanë buxhetin e vetë, të mjaftueshëm. Do të ishte e dhimbshme që Kosova ta linte palën mbrojtëse pa buxhet

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy