Zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi ka folur sot për të gjeturat dhe keqpërdorimet në njësitë për patentë-shoferë në Kosovë.
Nga ato gjetje sipas Durimisht, bëhet fjalë për një ndërmarrje të gjerë kriminale.
“Nga ajo që kemi gjetur deri më tani ka të bëj me një ndërmarrje të gjerë kriminale që mbetet të vërtetohet. Dyshimet kanë filluar nga informata që na kanë dërguar qytetarët”.
Ai thotë se dyshimet nisën në vitin 2021.
“Shumë kandidatë gjoja pjesën teorike e kanë kaluar në vitin 2021 në kohën kur nuk kishte testime”
Ai tha se ka qindra raste të dyshuara për keqpërdorime dhe qyteti që prin është Peja.
“Ka raste kur ka rënë 10 herë nga provimi në Prishtinë dhe ka shkuar pastaj në Pejë”, tha ai.
Ndryshe, ditë më parë Ministria e Infrastrukturës ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës tre ekzaminerëve të angazhuar në departamentin për patentë shofer.
Durmishi, kishte thënë se vendimi është marrë pas informatave për dyshime të bazuara në keqpërdorime të mëdha në procesin e punës.
“Këto tri vite kemi bërë përpjekje që situata në njësitë për patentshofer të rregullohet. Kemi punuar maksimalisht që në pjesën teorike të mundësojmë Itestimin në mënyrë që të pamundësojmë kalimin e testimit me metoda korruptive”.


