Ambasadat e konsullatat do të bëhen qendra votimi, PDK dhe LDK në garë për mbështetjen e mërgimtarëve

by Nexhat

PDK dhe LDK thonë se po rikthehen fuqishëm në diasporë. Dy partitë opozitare i kanë shtuar përpjekjet për t’i bindur mërgimtarët të votojnë për to, ndërsa zgjedhjet parlamentare po afrohen.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë angazhuar seriozisht me aktivitete në diasporë, të bindur se ndikimi i mërgimtarëve në vend mbetet i madh edhe në zgjedhje.

Këto ditë, zyrtarë të lartë të PDK-së e LDK-së ishin në Zvicër, ndërsa me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, angazhimi i tyre nuk mbetet vetëm në shtetin helvetik; është intensifikuar edhe në Gjermani dhe nuk mungon mobilizimi as në shtetet tjera europiane ku jetojnë shqiptarë të Kosovës

Përveçse garë për ta fituar mbështetjen e mërgimtarëve, kjo duket edhe si garë ndërmjet dy partive më të madhe opozitare që synojnë të dalin mbi njëra-tjetrën në zgjedhjet e radhës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi sot publikoi në Facebook fotografi nga një manifestim “shumë madhështor” në Zvicër, ku ishte edhe vetë.

“Për dekada të tëra, mërgimtarët sakrifikuan dhe kontribuan pa u lodhur për popullin, lirinë dhe shtetin tonë. Tani, bashkë dhe më të fortë, po bëhemi gati që Kosovën ta nxjerrim edhe nga mjerimi politik dhe ekonomik në të cilin është zhytur – sepse ky është obligim i përbashkët. Faleminderit për këtë organizim të mrekullueshëm Ragip Xhaka dhe Dega e PDK-së në Zvicër. Me një mërgatë të tillë, të bashkuar dhe të vendosur, Kosovën e presin ditë më të mira!”, shkroi ai.

PDK-ja mbetet aktive në diasporë, sidomos me angazhimin e anëtarit të Kryesisë dhe deputetit Elmi Reçica, i cili qëndron shumë jashtë vendit. Vetëm këtë muaj, ai pati aktivitete me mërgimtarë në Zvicër, Gjermani e Itali.

Reçica është udhëheqës i Departamentit të Diasporës në PDK dhe në llogarinë e tij në Facebook më së shumti mund të gjenden postime për aktivitetet e tij jashtë vendit. Ka marrë pjesë në tubime e në themelimin e disa degëve e nëndegëve të kësaj partie në mërgatë.

Edhe LDK-ja po e shtrin aktivitetin e saj në mërgatë. Këtë të shtunë, partia më e vjetër kosovare themeloi degët e forumit të gruas dhe forumit të rinisë në degën lindore në Zvicër, si dhe një nëndegë në Dubendorf. Një kremtë më pas u organizua në Winterthur.

“Jashtëzakonisht i rëndësishëm ishte takimi me afaristë në Aarau, ku u shpalosën ide dhe mundësi potenciale për investime në Kosovë. Shumë të rinj që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër iu bashkuan vizionit të ‘Rrugës së re’ që pasqyron një diversitet projektesh që do të implementohen në vendin tonë… Mërgata gjithmonë mban zemrën te atdheu; e tani po fuqizohet e po rikthehet në shtëpinë e saj historike, LDK!”, thuhet në një njoftim të LDK-së në Facebook.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kishte paralajmëruar aktivitete në mërgatë, kur para dy vjetësh e themelonte një ekipin politik për këtë çështje. I kishte ngarkuar katër zyrtarë për ta ringjallur në diasporë partinë më të vjetër të Kosovës. Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni dhe dy anëtarët e Kryesisë, Sokol Haliti e Armend Zemaj janë në përbërjen e këtij ekipi, ndërsa atyre iu është bashkuar edhe Shkumbin Gashi, koordinator teknik në LDK.

Rëndësinë e diasporës, LDK-ja e pa edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Në Dragash, fitorja e LDK-së u vendos nga votat e diasporës.

Në Lëvizjen Vetëvendosje e falënderojnë diasporën shpesh kur flasin për rritjen e jashtëzakonshme të partisë viteve të fundit, që kulmoi me 50.28% të votave që i fituan në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Diaspora është pjesë e rëndësishme e fjalimeve të kryeministrit Albin Kurti. LVV-ja e tij në zgjedhjet e fundit parlamentare i mori rreth 80 për qind të votave nga jashtë. Shumë mërgimtarë në shkurt të vitit 2021 kishin ardhur me autobusë për të votuar për LVV-në.

Zgjedhjet e reja parlamentare mund të mbahen këtë vit, pa pritur përfundimin e plotë të mandatit të Qeverisë, ashtu siç kërkon edhe opozita. Partia në pushtet nuk e përjashton këtë mundësi, ndërsa nënkryetari i LVV-së, kryeparlamentari Glauk Konjufca, është i mendimit se do të ishte më mirë të mbaheshin këtë vit.

Me ligjin e ri për zgjedhje, parashihet që, siç pati thënë Kurti, “ambasadat e konsullatat e Kosovës gjatë zgjedhjeve të shndërrohen në qendra votimi”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy