Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas mospjesëmarrjes fizike të kryeministrit Kurti në Samitin Ballkani Perëndimor- BE që po mbahet sot në Tiranë.
“Kryeministër, ku je? Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i perbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në Planin e Rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar.”
Krasniqi ka thënë se në vend që Kurti të marrë pjesë “ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla”.
“Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla.”
Ai ka thënë se Kurti sot e ka pasur vendin në Tiranë, në mesin e liderëve tjerë të Ballkanit Perëndimor e BE’së.
“Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian.”
Sipas Krasniqit “me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen”.
Kreu i PDK’së e ka quajtur Kurtin kryeministër idhnak.
“Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane. Kryeministër, kthjellu!”
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka thënë Gazetës Express që kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë virtualisht në samit.