Lidhja e Lezhës e vitit 1444 dhe fuqizimi i Principatave Shqiptare

by Nexhat

Nga; Gjon GJOKAJ

Në vitin 1355 Car Dushani vdiq, vendin e tij e zuri Simon Uroshi. Nën sundimin e tij, filloi të dobësohej Perandoria Serbe. Pak kohë pas ekspeditës së tij kundër Beratit, edhe Simon Uroshi u detyrua nga shqiptarët e Epirit t’i linte zotërimet e veta. Në këtë mënyrë, që nga Genta e Kosovës deri poshtë në Epir, lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve të shquara shqiptare, si Balshajt, Muzakët, Matranget, Zenepishtet, Gropajt e Pogradecit, Bue–Shpatet e të tjerë. Në vitin 1368–1369, Perandoria Serbe u shpërbë krejtësisht. Zeta e poshtme shtrihej përgjatë brigjeve Budva të detit Adriatik deri në Shën Shergj. Zeta e sipërme shtrihej prej bregoreve Njegoshit mbi Kotorr deri në bregun e liqenit të Shkodrës, sot Mali i Zi.

banner

Në 1368 në Zetën e sipërme u krijua një familje e madhe me mbiemrin Balsha. Në këtë familje kishte tre vëllezër Strazimiri, Balsha I dhe Balsha II. Këta vëllezër krijuan principatën me mbiemrin e Balshajve. Asnjëri nga vëllezërit nuk pranoi të bëhej princ, por vendosën që ta drejtojnë së bashku.

Në vitin 1369 Balshajt shpallën kalimin e tyre nga besimi ortodoks në ritin katolik, për forcimin e lidhjeve me papatin dhe fuqitë katolike të perëndimit dhe në vazhdën e lidhjeve me princërit e Gentës (Dokles) që kishin me këta të fundit. Një vit më vonë Papa Urbani i V, duke i pranuar vëllezërit Balsha në gjirin e Kishës Apostolike të Romës u rekomandoi atyre peshkopët e posaemëruar të Arbrit, Pultit, Sardës, Shurdhahut, Lezhës e të Vlorës, nëpërmjet këtij fakti kuptohej se Balshajt ishin bërë zot të Vlorës.

Në vitin 1370, Balshajt organizuan popullsinë e qyteteve dhe fshatrave të aftë për luftë dhe pa as më të voglën rezistencë morën Shkodrën me rrethinat e saj. Një vit më vonë ata morën Lezhën, qytetet dhe fshatrat e bregdetit deri në Vlorë. Në vitin 1372, Balshajt u morën serbëve Pejën, Prizrenin, Ohrin dhe Kosturin. Në vitin 1392–1393, Republika e Venedikut mori Durrësin, Krujën, Lezhën. Me 14 Prill 1396, të plotfuqishmit e Gjergjit II të Balshajve, me 10 nëntor shkuan në Venedik dhe u dorëzuan venedikasve qytetin e Shkodrës me rrethina, Limanin e Bunës, Shën Shirgjin, Drishtin, sepse Gjergji nuk mund t’i mbante këto vende. Për këtë shkak, trashëgimtarët e tij u bënë bujar të Venedikut, hynë në këshillin e lartë dhe merrnin 1000 dukat në vit nga të ardhurat e vendeve të dorëzuara.

Gjatë kësaj periudhe të lartpërmendur, Cërnojeviqët, ishin vasal të vegjël lokal të Balshajve.

Gjurashë-Cërnojeviqët si familje sunduese, duken të parën herë në periudhën Principatave Shqiptare, më 1326-1362, dhe pastaj fuqizohen dhe arritën me dominuar pjesë të territoreve të Arbërisë, prej vitit 1403-1515. Principata e tyre në shekujt XIV-XV u shtri në Malësinë midis Grykës së Kotorrit dhe qytetitit bregdetar të Budvës.

Në mesin e shekullit të XV-të, Perandoria Osmane, kishte epërsinë e plotë në Gadishullin Ballkanik. Ajo, në mënyrë të rrufeshme, kapi qytete greke, okupoi Serbinë, Bullgarinë, Maqedoninë dhe Azinë e Vogël

Pas braktisjes së Perandorisë Osmane dhe kthimit në Atdhe, me 28 nëntor 1443 Gjergj Kastriot – Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në Kalanë e Krujës.

Gjergj Kastrioti, me qëllim të përballimit të sulmeve osmane, ai në fillim të Marsit, të vitit 1444, thirri kuvendin mbarë-kombëtarë, të ashtuquajtur Besëlidheja e Lezhës, ku për të parën herë në historinë e mesjetës, u mblodhën të gjitha principatat arbnore, për ta formuar shtetin e tyre shqiptar.

Kuvendi i Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën’ Kollit në Lezhë. Në këtë kuvendin morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të princërve dhe feudalëve më të fuqishëm të tokave të Arberit.

Si përfaqësues i derës së princërve të Kastriotëve, mori pjesë Gjergj Kastrioti, i cili do të drejtoj kuvendin. Pjesëmarrësit tjerë në këtë kuvend ishin:, Gjergj Arianiti, Andre Topia me djemtë Komninin e Muzakën dhe nipin Tanushin, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon, Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu, Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë, Stefan Cërnoviqi me bijtë Gjergjin e Gjonin etj.

Në Kuvendin e Princave shqiptarë ishin të pranishëm edhe delegacione të ndryshme europiane, si nga Vatikani, Venecia, Napoli, Sirakuza, Hungaria, Polonia etj., të cilët premtuan se shtetet e tyre, do t`i japin Skënderbeut, ndihmë në luftën kundër sulltanit turk.

Më 3 Mars të vitit 1444, Lidhja e Princave shqiptarë, miratoi Gjergj Kastriot – Skënderbeun, kreun e shtetit shqiptar dhe Kryekomandant të ushtrisë. Princat, gjithashtu miratuan propozimin e Skënderbeut, për mbrojtjen e shtetit, dhe i dhanë fjalën njëri – tjetrit, se mbrojtja e tokave shqiptare, nga atentatet e Perandorisë Osmane, për secilin prej tyre, do të ishte detyrë e shenjtë

Kështu u mbajtë kjo Asamble që mblodhi pothuajse të gjithë fisnikët shqiptarë që kishin kryer kryengritjet e para kundër turqve, si ata të; Arianitëve, Thopisë, Dukagjinit, Korona-Muzakës, Balshës, të cilët ishin të shqetësuar për t’i mbrojtur zotërimet e tyre feudale kundër osmanëve. Dhe pavarësisht nga divergjencat e pashmangshme, u miratua formimi i një aleance politike dhe ushtarake -“Lidhja e Lezhës”, në të cilën;

U vendos gjithashtu të krijohej një ushtri dhe një fond i përbashkët të financuar nga zotëruesit shqiptarë, të cilët kontribuan proporcionalisht me mundësitë e tyre. Udhëheqësit më të vegjël të cilët nuk ishin në gjendje të paguajnë shuma të mëdha do të kishin kontribuar në kauzën e përbashkët duke dërguar më shumë trupa. Në përfundim të procesit, Asambleja zgjodhi Skënderbeun si kreun e Lidhjes së Lezhës dhe Komandantin Suprem të Ushtrisë Federale me rreth 18.000 trupa.

Liga e Lezhës megjithatë ishte një koalicion politik dhe ushtarak i krijuar me qëllim të vetëm për t’i luftuar turqit. Autoriteti i Princave mbeti sovran në domenin e tyre, njëjtë sikur është bërë edhe për Skënderbeun. Kryetari i Lidhjes, ishte “Primus inter pares” (I pari mes të barabartëve), dhe atij nuk iu dha asnjë e drejtë për të ndërhyrë në fushat e fisnikëve të tjerë.

Vatikani dhe Papa Nikolla i V-të, me vëmendje ndiqnin ngjarjet në Shqipëri. Kreu i Kishës Katolike Shqiptare deklaronte; “Malësorët trima të krishterë, janë të aftë tu japin goditje barbarëve të Lindjes. Bashkimi i shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, u jep shpresë edhe popujve të tjerë për ti rezistuar agresorit”.

I dërguari i kardinalit, pas kthimit nga Shqipëria, hartoi një raport të hollësishëm për Papën Nikolla i V-të, mbi veprimtarinë e lidhjes së Princave dhe mbi personalitetin e liderit të ri shqiptar. Kardinali e përshkruante kështu Skënderbeun:
“Një burrë me shtat të lartë, e fizik të fortë, me pamje të këndëshme, i arsimuar, flet lirisht greqisht, italisht dhe arabisht, të jep përshtypjen e një njeriu të mençur dhe të vendosur, i lindur për të drejtuar ushtrinë në betejë. Bën një jetë spartane, mban pranë shpatën në shtëpi dhe në terren, fle me brucë të zbërthyer, ngrihet nga gjumi me këngën e parë të këndezit(zogut). Zotëron të gjitha cilësitë e mira që ngjallin respekt për popullin shqiptar dhe shumë veti të tjera që nxitin njerëzit ta ndjekin pas. Atë e duan dhe e ngrenë në qiell. Turqit do ta kenë të vështirë, pothuaj të pamundur ta mposhtin. Megjithatë, ai duhet ndihmuar me armë dhe pajisje luftarake.”

Marrëdhëniet e Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë u ndërtuan mbi bazën e interesit të ndërsjellë të dy vendeve, interes që me kohë u forcuan dhe u kaliten me rritjen e famës së strategut luftarak e të pashoq të Gjergj Kastriotit kundër pushtetarëve otomanë.

Papa Eugjen IV (1431-1447) dhe Papa Nikolla V (1447-1455), i ofruan ndihmë Skënderbeut aq sa lirisht mund të thuhet se atë e shihnin si të vetmin strateg dhe shpresë në luftë kundër otomanëve.

Vëmendja e Papës Kalisti III (1445-1448), sidomos gjatë fundit të pontifikatit të tij do të rritet ndaj Shqipërisë, por kulminacioni i marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë rritet në periudhën e Papa Piu II (1458-1464), i cili do ta konsideronte Skënderbeun si “Komandant gjenial të ushtrisë së krishterë”, i shpallur nga ana e tij “Atlet i Krishtit”, i cili pa dyshim se ishte edhe Ideatori i “Aleancës së Parë Euroatlantike”

(Ky shkrim është pjesë e materialeve në dorëshkrim të autorit)

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy