A po divorcohet ajo? A po e merr veten nga kirurgjia estetike? A është akoma gjallë? Fotoja, e cila kishte për qëllim të qetësonte publikun për gjendjen shëndetësore të Princeshës Kate, pati efektin e kundërt, duke nxitur spekulime nga më të egrat.
Kërkim-falja e Princeshës së Uellsit, që të hënën mori përgjegjësinë për një foto të “përpunuar” të publikuar me rastin e Ditës së Nënës të dielën, bëri që të shpërthejnë thashethemet për të.
Shtypi britanik u tregua mjaft i butë të martën ndaj princeshës Kate, por fotografia e retushuar për të cilën ajo mori përgjegjësinë ishte një katastrofë për sa i përket komunikimit, gjë që hedh dyshime mbi informacionin e shpërndarë nga çifti i ardhshëm mbretëror.
Modifikimi i fotos shkaktoi një vërshim të ri teorish për gruan e trashëgimtarit të kurorës britanike, të grumbulluara në internet me emrin “Katespiracy”, për Kate dhe “konspiracion”. Këto thashetheme, të nxitura nga mungesa e princeshës, e cila nuk është shfaqur në publik që prej Krishtlindjeve dhe i është nënshtruar një operacioni abdominal në janar, kishin nisur shumë përpara publikimit të fotos.
Për disa, Kate po shërohet nga një çrregullim i të ngrënit ose po shërohet nga një operacion estetik. Për të tjerët, mungesa e saj është një shenjë se martesa e saj me Princin William është në krizë. Të tjerët, më në fund, pyesin veten nëse ajo është ende gjallë.
Publikimi i fotos nga Kensington Palace është dashur të qetësojë thashethemet. Por përdoruesit e mediave sociale shpejt vunë në dukje mospërputhjet, si për shembull mospërputhja e zinxhirit në xhaketën e Kate. Fakti që princesha e pranoi manipulimin, pa publikuar foton origjinale dhe pa sqaruar arsyet e këtij edicioni, vetëm sa përforcoi dyshimet e përdoruesve të internetit./Informim/