Bekim Demjaha, i mbijetuar i masakrës së mesnatës mes 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në Gjakovë ka rrëfyer në Frontal në T7 se si forcat serbe ia vranë familjarët.
“Mes 1 edhe 2 prillit, ne u larguam nga shtëpia jonë dhe shkuam te daja. Aty hasëm në disa policë me të cilët bisedonte babai im. Iu tha që po shkojmë të miqtë. Kena vazhdu dhe kena bujtë atje. Aty ishim rreth 16 persona, aty ishte më sigurtë se në atë lagje kishte shumë qytetarë serb që jetonin por ndodhi ndryshe”, tha ai.
Ai ishte 15 vjeçar kur ndodhi kjo masakër, por e mban në mend shumë mirë atë trishtim.
“Frika ishte gjithmonë se krismat nuk u ndaleshin asnjëherë, problemi ishte mes 1 dhe 2 prilli kur NATO sulmoi serbët u nisën me u hakmarrë. Nisën te shtëpia e Mërgim Lleshit e pastaj nga ne. Ajo krisma e madhe që kërsiti – isha në gjumë, u çova e dola në korridor, si sot më kujtohet shtëpia e dajës ishte me hekra ku shihet gjithçka përpara. Nuk kanë kalu 5 minuta aty janë rreshtu paramilitarët serbë me maska e me thika”, tregon ai