Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përfundoi sot udhëtimin në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Ai riafirmoi mbështetjen e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden për ukrainasit ndërsa përparimet e Rusisë po vazhdojnë në rajonin e Kharkivit
Blinken njoftoi se qeveria amerikane ka ndarë dy miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën ndërsa shtoi se municionet dhe armët shumë të nevojshme po dërgohen në vijat e frontit.
Fondi do të ketë tre komponentë, duke përfshirë sigurimin e armëve, investimi në bazën industriale të mbrojtjes ukrainase dhe financimi i blerjeve të pajisjeve ushtarake nga vende të tjera, raporton cnn.
Zyrtari amerikan gjithashtu deklaroi se SHBA-ja mbetet e “përkushtuar” për të ndihmuar ukrainasit të fitojnë luftën kundër Rusisë, por nuk po inkurajon sulmet në territorin rus
Ai shtoi se Uashingtoni mbështet fuqishëm një samit të paqes të Ukrainës që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Zvicër.
Ndryshe, SHBA-ja është ndër shtetet kryesore që po e ndihmojnë Ukrainën në luftën kundër pushtuesve rus që nga 24 shkurti i vitit 2022.