Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka marrë të gjitha atributet morale dhe politike të Sllobodan Millosheviqit.
Berisha, thotë se Vuçiq për pushtetin dhe karrigen e tij është i gatshëm të ndezë një konflikt të ri.
“Kemi të bëjmë me një udhëtim drejt një konflikti të paralajmëruar dhe në këtë kontekst nuk shënohet për ata që ndjekin zhvillimet në rajon asgjë më shumë se episodi i radhës i këtij skenari. Aleksandër Vuçiq, i cili ka marrë tani të gjitha atributet politike, morale të Sllobodan dhe mund të quhet realisht një Sllobodan i ri, në këtë kontekst një armik absolutisht i kombit serb, por edhe i kombeve në rajon, dëshmon se për pushtetin dhe karrigen e tij është i gatshëm të ndezë një konflikt të ri dhe mban haptazi para të gjithë komunitetit ndërkombëtar konfliktin të varur në gozhdë. Kur të dua thotë ai unë do ta nisë atë, dhe ai në këtë kontekst nuk i ka borxh askujt. Përgjegjësia është e atyre që nuk e besojnë këtë. Ai e tregon këtë, nuk e fshehë, nuk fshehë asgjë”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Berisha tha se Vuçiq në OKB paralajmëroi qëndrimin e tij anti-perëndimor, duke shtuar se nuk e ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Ai sapo ishte në OKB e paralajmëroi të gjithë qëndrimin e tij fund e krye anti-perëndimor. Paralajmëroi se ai është një Putin në Ballkan, që nuk e ka ndërmend kurrë të vendos sanksione ndaj Rusisë, çka përmban? Përmban një gurë themeli, qëndrimin pro ose kundër perëndimit. Ai tregoi që nuk e ka ndërmend kurrë ta njohë Kosovën, e cila u çlirua pas u mund Serbia në një luftë”, tha Berisha.