Malcolm: Ahmet Zogu ishte më i mirë se Enver Hoxha por kishte shumë të meta, Hoxha ishte krijesë e Moskës

by Nexhat

Noel Malcolm, historiani i njohur britanik është duke dhënë një intervistë në Pressing të T7, ku po flet për historinë e Kosovës, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Ai ka folur për dy figura pulitke shqiptare, Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën.

banner

Ka deklaruar se Zogu ishte qartazi më i miri nga këta të dy, por ai ishte njeri i çalë, me dobësi serioze.

Ndërkaq për Enver Hoxhën tha se ishte krijesë e Moskës.

”Nëse më duhet që të bëj një krahasim, do të thosha se Zogu ishte qartazi më i miri nga këta të dy, por ai ishte njeri i çalë, me dobësi serioze, dhe trashëgimia e tij është shumë e përzier, por Zogu në thelb mundohej të ishte modernizues. Po mundohej të modernizonte një shoqëri që dukej shumë tradicionale, shumë e pazhvilluar ekonomikisht, për nga mendësia e kështu me radhë”.

“Ai ndau shumë energji për reforma shoqërore, duke u munduar që të sillte investime, duke u munduar që ta përmirësonte infrastrukturën, duke u përpjekur që t’i ndryshonte politikat e shëndetit publik, duke i dërguar motrat e tij nëpër pjesë të vendit, të veshura me rroba perëndimore, për t’i bindur gratë se nuk ishte e nevojshme që të vishej vello në rrugë. Ne harrojmë një pjesë të kësaj, por ai ishte modernizues, paksa si Ataturku, por mendoj se ishte më pak shtypës. Ataturku vërtet e shfrytëzoi pushtetin e tij, nganjëherë në mënyra goxha të pamëshirshme. Zogu nuk e kishte atë shkallë të pushtetit, por është pjesë e një gjenerate të politikanëve në atë periudhë të shekullit XX. Është ai që ata e shihnin si Programi Kryesor dhe, në themel, mendoj se synimet e atij programi ishin shumë të mira. Natyrisht, ai dëshironte investime të huaja për këtë dhe kjo e tërhoqi në fushën gravitacionale të Musolinit dhe Musolini e pa mundësinë e tij dhe ca dobësi te Zogu dhe përfundoi duke marrë nën kontroll një pjesë të madhe të ekonomisë dhe pastaj, natyrisht, duke pushtuar”.

“Pra, e kaluara nuk është e lumtur, por kështu është, është e kaluar e përzier, por mendoj se shumë interesante. Ka pasur studime të mira historike, jam i sigurt se do të ketë më shumë. Pra, nuk është vështirë të bëhet krahasim me një njeri si ai dhe me një njeri si Enver Hoxha. Hoxha ishte krijesë e Moskës. Ai nuk ishte mendimtar i shquar politik apo aktivist. Në pjesën e parë të karrierës së tij, ai ishte kukull e Moskës. Po e them këtë fuqishëm, por dokumentet e dëshmojnë këtë. Atij i tregohej se çfarë të bënte. Atij i tregohej nga agjentët e dërguar tek ai nga Moska, Dushan Mugosha, Popoviqi, këta ishin thjesht agjentë që ia jepnin atij udhëzimet dhe ai përdori elemente të retorikës nacionaliste shqiptare në mënyrë të natyrshme kundër një force pushtuese të italianëve ose gjermanëve, që ishte retorika e qartë për t’u përdorur, por në fund të luftës, nëse Moska do të thoshte “tani duhet ta harrosh shtetin kombëtar shqiptar dhe thjesht duhet të bëhesh pjesë e një lloji të ri të (Bashkimit) Sovjetik Ballkanik”, ai do të kishte thënë “po”, sepse gjatë tërë karrierës së tij ishte ngritur në detyrë mbi bazën e të thënit “po” për atë që e dëshironte Stalini. Sundimi që ai e kishte… Nuk kam nevojë që ta përsëris të qartën. E shkatërroi lirinë e shqiptarëve. Ata u mbajtën të burgosur në vendin e vet, atyre u ishte parandaluar kontakti me të gjitha llojet e zhvillimeve pozitive në botën perëndimore dhe ishte trashëgimi e tmerrshme. Është mbresëlënëse që në vitet nga përfundimi i komunizmit, shqiptarët kanë ndryshuar aq shumë për ta liruar veten nga ajo trashëgimi”, ka thënë ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy