Bekaj: E nënshkruar apo jo marrëveshja duhet zbatuar nga palët

by Nexhat

Ligjëruesi dhe hulumtuesi në Departamentin e paqes dhe konfliktit në Universiteti “Uppsala” në Suedi, Armend Bekaj, ka thënë se pavarësisht nëse është nënshkruar apo jo, marrëveshja e Brukselit, është marrëveshje që duhet të zbatohet.

Bekaj, të hënën, në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka theksuar se insistimi i Kurtit për nënshkrim të marrëveshjes është një strategji të cilën ai po e përdor për ta vënë në pah që Serbia është palë jokonstruktive në procesin e dialogut.

banner

“Kur një marrëveshje të arrihet në mes të dy palëve, në mes të dy shteteve në këtë rast, e shkruar apo jo e shkruar ajo është një marrëveshje e dakorduar dhe besoj se pavarësisht deklaratave që jepen nga palët apo ndërmjetësuesit, kjo marrëveshje e dakorduar në Bruksel, dhe aneksi i zbatimit i dakorduar në Ohër, e nënshkruar apo jo është një marrëveshje, e cila sa u përket ndërmjetësuesve është marrëveshje që duhet të implementohet dhe marrëveshje për të cilën janë dakorduar të dy palët”, ka deklaruar Bekaj.

“Duke potencuar faktin që presidenti Vuçiqi refuzon ta nënshkruajë këtë marrëveshje, Kurti do të vë në pah që pala e cila është destruktive, joserioze dhe jo e përkushtuar është pala serbe”, ka shtuar Bekaj.

Ai ka thënë se pas sulmit në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës gjerat në procesin e dialogut kanë ndryshuar dhe se Qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë.

“Gjërat kanë ndryshuar pas sulmit terrorist në Banjskë, është një momentum që besoj edhe institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme që duhet ta shfrytëzojnë në favorin tonë dhe duhet të bëhet e maksimumi që të promovohet ai narracioni ynë, ajo strategjia jonë që ne jemi palë konstruktive karshi miqve tanë, aleatëve dhe njëkohësisht ndërmjetësuesve dhe të vihet në pah joserioziteti i palës serbe në bisedime”, ka deklaruar Bekaj.

Sipas tij, ka një pajtim në mes të spektrit politik në Kosovë që Asociacioni të mos krijohet pa marrë garanci nga ndërmjetësuesit që Serbia është duke i zbatuar obligimet e saj.

“Ekziston një pajtim brenda spektrit politik në Kosovë që Asociacioni është një etnitet që do të krijohet eventualisht, këtu jemi duke folur me shumë për të ashtuquajturin sekuencim të ngjarjeve, që të mos biem në kurthin e krijimit të një etniteti të tillë pa marrë disa siguri kredibile, të fuqishme të ndërmjetësuesit apo pa parë që Serbia është duke implementuar obligimet që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura”, ka theksuar Bekaj.

Sipas tij Kosova paralelisht me realizimin e obligimeve që ka marrë përsipër, duhet të insistojë që edhe pala serbe t’i zbatojë obligimet që ka marrë nga ky proces.

Bekaj ka thënë se ka pasur një presion jo të drejtë nga ndërmjetësuesit që Kosova të jetë e para ajo që zbaton obligimet e pastaj “shohim e bëjmë”.

“Ne kohën mes dakordimit të marrëveshjes në Bruksel në shkurt dhe pastaj aneksit të marrëveshjes në Ohër, ka qenë një periudhë gjatë të cilës ndërmjetësuesit evropianë nuk janë treguar mjaftueshëm fer, të paanshëm dhe objektiv në të dyja anët, ka pasur raste kur drafte ta caktuara janë prezantuar kabinetit të presidentit Vuçiq dhe në momentin e fundit, disa orë para takimit i janë prezantuar Prishtinës zyrtare”, ka theksuar Bekaj.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy