“Ka optimizëm nga të dy palët, nuk mungon dëshira për të vijuar bashkëpunimin, por duhet ende kohë, është normale që në të tilla rastet, kur zhvillohen negociatat, duhet kohë dhe qetësi”.
Kështu u shpreh Piero Ausilio, drejtori sportiv i Interit, i pyetur në lidhje me rinovimin e mundshëm të Lautaro Martinez.
“El toro” është kthyer prej kohësh në liderin absolut të Interit, jo thjeshtë një kapiten. Presidenti Zhang i ka dhënë dritën jeshile drejtuesve të klubit të bëjnë gjithçka për të mbajtur në Milano sulmuesin argjentinas, këtë e konfirmon edhe oferta e fundit që Ausilo i ka bërë përfaqësuesve të Martinez: 8 milionë euro, plus bonuse.
Aktualisht, Martinez përfiton 6 milionë euro, ndërsa Calhanoglu, sa për të bërë një krahasim, përfiton 6,5 milionë euro. Me këtë ofertë Martinez do të shndërrohej në lojtarin më të paguar në skuadër, por me sa duket as kaq nuk mjafton pasi “demi” kërkon 10 milionë euro. Vullneti i Inter është që të bëjnë një sforco ekonomike për t’i plotësuar kërkesat kapitenit, kjo edhe për një arsye tjetër.
La Gazzetta dello Sport shkruan se me largimin e Mbappe te Real Madrid, PSG është vënë në lëvizje për të gjetur një zëvendësues dhe Martinez mund të jetë profili ideal. Klubi francez nuk do ta kishte problem të shpenzonte 150 milionë euro për të afruar argjentinasin, gjithashtu janë të gatshëm t’i plotësojnë çdo kërkesë ekonomike. Për të shmangur çdo diskutim, mbi të gjitha për të larguar rivalët, drejtuesit e Interit kërkojnë t’i marrin firmën Martinez brenda verës.