A do të ekstradohet themeluesi i Wikileaks – Julian Assange?

by Merita

1776 ditë. Kaq ditë i bëhen Julian Assange në burgun britanik të sigurisë së lartë Belmarsh, kur këtë të martë (20.02.2024) fillon ndoshta seanca përfundimtare në ecejaket për ekstradimin e tij në SHBA. Edhe më parë themeluesi 52 vjeçar i platformës së zbulimeve Wikileaks nuk ka qenë në liri. Ai kaloi shtatë vjet i mbyllur në ambasadën e Ekuadorit në Londër, e cila i kishte ofruar atij azil. Sipas prokurorisë së SHBA-së ai do të dënohet me 175 vjet të tjera.

Seanca dëgjimore para Gjykatës së Lartë në Londër shqyrton çështjen: nëse i ka shteruar tashmë Assange të gjitha mjetet juridike kundër ekstradimit të tij në SHBA? Apo mund të vazhdojë të luftojë në gjykatat britanike?

banner

Nëse Gjykata e Lartë e Drejtësisë hap rrugën për ekstradim, Assange mund të akuzohet dhe të dënohet në SHBA në bazë të të ashtuquajturit Espionage Act. Ky ligj hyri në fuqi para më shumë se njëqind vjetësh, për të dënuar tradhtarët dhe spiunët gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai nuk është përdorur kurrë më parë kundër një gazetari. Akuza: vjedhje dhe publikim i materialeve sekrete nga operacionet ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan së bashku me informanten Chelsea Manning. Kjo gjë ka vënë në rrezik edhe jetën e informatorëve amerikanë, thonë autoritetet amerikane. Në vitin 2010 presidenti aktual i SHBA dhe ish- zëvendëspresidenti i atëhershëm, Joe Biden e quajti Assange një “terrorist të teknologjisë së lartë”.

Megjithatë për faktin, që u publikuan të dhëna të paredaktuara, nuk është përgjegjës Julian Assange. Në vitin 2010 Wikileaks bashkëpunonte me një koalicion organizatash të mëdha mediatike – The New York Times, The Guardian, Le Monde, Der Spiegel dhe El País – për të përpunuar në mënyrë gazetareske informacionin e rrjedhur. Fjalëkalimi i të dhënave të mbrojtura u publikua në një libër nga njëri prej gazetarëve të përfshirë. Wikileaks i publikoi të dhënat, vetëm kur informacioni ishte bërë i arritshëm. Qeveria amerikane nuk ka ofruar ende prova se dikush është dëmtuar me të vërtetë nga publikimi.

Qeveria amerikane përpiqet ta privojë Assange nga statusi i gazetarit. Thuhet se ai publikoi një sërë të dhënash pa kontekst dhe se është një haker. Megjithatë Assange ka fituar çmime të shumta mediatike. Kjo nuk ka rëndësi për prokurorinë amerikane, ligji për spiunazhin nuk bën dallim mes gazetarëve dhe personave të tjerë.

E vërteta e pazbukuruar

Megjithatë e vërtetë është se publikimet e Wikileaks ishin shumë të pakëndshme për qeverinë e SHBA-së. Qindra mijëra dokumente sekrete i treguan botës një anë tjetër, të pazbukuruar dhe të përgjakshme të veprimeve të ushtrisë amerikane. Anën ku u kryen krime lufte – dhe u mbuluan – ku numri i viktimave civile ishte dukshëm më i lartë se shifrat e zbukuruara të Pentagonit.

Megjithatë publikime që një demokraci e jetuar duhet t`i durojë. Të paktën kështu mendojnë të gjitha organizatat kryesore të të drejtave të njeriut, të drejtave civile dhe gazetarisë, nga Amnesty International deri te Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, CPJ dhe te Reporterët pa Kufij. Dy organizatat ombrellë, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, IFJ dhe Federata Evropiane e Gazetarëve, EFJ, paralajmëruan në një deklaratë të përbashkët me 14 shkurt: “Persekutimi i vazhdueshëm i Julian Assange rrezikon lirinë e medias në mbarë botën”. Presidentja e EFJ Maja Sever citohet me thënien: “Gazetarët dhe sindikatat e tyre e kuptuan që në fillim se Julian Assange është në shënjestër, sepse ai kryen detyra, që janë pjesë e punës së përditshme të shumë gazetarëve – për të gjetur një whistleblower dhe për të zbuluar kriminalitetin”.

Mbështetje për Assange në mbarë botën

Ka gjithnjë e më shumë zëra në mbarë botën, që shprehen kundër persekutimit të Assange nga SHBA dhe në favor të lirimit të tij. Një javë përpara gjykimit Parlamenti Australian miratoi një rezolutë për lirimin e shtetasit australian Assange, që u mbështet nga kryeministri Anthony Albanese; kryeqyteti italian Roma e shpalli Julian Assange qytetar nderi; një grup prej më shumë se 35 profesorësh amerikanë të drejtësisë porositën përmes një letre të hapur ministrin e Drejtësisë të SHBA Merick Garland, se përndjekja e Assange kërcënon amendamentin e parë të Kushtetutës, që mbron shtypin e lirë dhe lirinë e shprehjes.

Po kështu e sheh çështjen edhe Christian Mihr. Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Amnesty International për Gjermaninë thotë për DW: “Rasti Julian Assange ka të bëjë me çështje themelore të lirisë së medias dhe të të drejtave të njeriut. Julian Assange nuk është fajtor për asnjë krim, Wikileaks ka zbuluar shkelje të të drejtave të njeriut dhe ky nuk është krim”. Së bashku me Reporterët pa Kufij, kryetar i të cilit Mihr ka qenë për shumë vjet, Amnesty planifikon një demonstratë përpara ambasadës së SHBA në Berlin në ditën e parë të gjykimit.

Zëra kritikë në politikën gjermane

Edhe në mesin e politikanëve gjermanë ka kritika ndaj persekutimit të Julian Assange. Deputeti i partisë së Gjelbër, Max Lucks, në bisedë për DW e quan Julian Assange të burgosur politik. Lucks flet fjalë të qarta lidhur me faktin se themeluesi i Wikileaks mbahet prej gati pesë vjetësh në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh në kushte të rënda burgimi dhe me perspektivën e një ekstradimi të mundshëm në SHBA: “Ajo që po ndodh, është torturë. Nuk ka arsye racionale për mbajtjen e zotit Assange të burgosur, ka motive politike”. Vlerësim ky që Lucks e ndan me politikanë dhe ekspertë të tjerë të njohur, si ish-raportuesi special i OKB-së për torturën, Nils Melzer, apo ish-ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel.

Lucks është një nga nismëtarët e një letre të hapur drejtuar Parlamentit Britanik, në të cilën më shumë se 80 anëtarë të Bundestagut kërkuan lirimin e Assange dy vjet më parë. “Gazetarët nuk duhet të persekutohen dhe të ndëshkohen për punën e tyre. Askund”, kështu fillonte letra. Nënshkruesit ishin “thellësisht të shqetësuar për efektin intimidues, që mund të ketë ekstradimi dhe dënimi i Assange mbi lirinë e shtypit dhe gazetarinë investigative në mbarë botën”. Deputetët nuk morën kurrë përgjigje për letrën e tyre.

Akuza: standarde të dyfishta

Një nga nënshkruesit e letrës është edhe Peter Heidt. Heidt është zëdhënësi për të drejtat e njeriut i grupit parlamentar të partisë FDP. Kur Heidt në rolin që ka, kritikon mungesën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut jashtë vendit, atij vazhdimisht i kundërpërgjigjen duke iu referuar përndjekjes së themeluesit të Wikileaks. Dhe me akuzën se Gjermania dhe Perëndimi përfaqësojnë standarde të dyfishta. “Kështu ju thonë kudo, mund të flisni me kë të doni”, konfirmon përvojën e tij parlamentari në intervistë me DW.

Prej vitesh Peter Heidt i përfundon fjalimet e tij në Bundestag me të njëjtën fjali: “Jam i mendimit që Julian Assange duhet të lirohet menjëherë”.

Parlamentarët Peter Heidt dhe Max Lucks janë të dy anëtarë të partive qeverisëse. Por nga ana e qeverisë pak është dëgjuar për Assange. Vetëm pak javë pas letrës së hapur në verën e vitit 2022 Bundestagu pati miratuar një rezolutë, që dënonte “persekutimin politik” të gazetarit si sulm ndaj lirisë së shtypit. Përveç kësaj parlamenti i bëri thirrje qeverisë gjermane, që të punojë për lirimin dhe mosekstradimin e Assange në SHBA.

Qeveria gjermane “ndjek” procesin e ekstradimit

E pyetur nga DW qeveria deklaroi vetëm, se e ndjek procesin e ekstradimit kundër Julian Assange dhe diskutimin publik rreth çështjes “me vëmendje” dhe “vazhdimisht”. Mbi procesin që është në vazhdim apo përmbajtjen e diskutimeve konfidenciale me përfaqësues të qeverive të tjera ajo “parimisht nuk shprehet”, shkroi qeveria gjermane në fund të vitit që kaloi në përgjigje ndaj një pyetjeje nga grupi parlamentar Die Linke.

Kritika më ekstreme e qeverisë gjermane ndaj procesit kundër Assange tingëllon si kjo deklaratë e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme në konferencën federale të shtypit në fillim të dhjetorit: “Ne kemi një koncept të ndryshëm për lirinë e shtypit nga ai që do të përkufizohej në SHBA. Tek ne gjërat që ka bërë zoti Assange nuk do të ishin të dënueshme”.

Zëdhënësi iu referua edhe procesit gjyqësor në vazhdim. Dhe se mund t`i kërkohej ndihmë edhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për Assange ky është një ngushëllim, por i dobët: sepse ai do të mbetej në paraburgim britanik, ndërsa gjyqi do të zgjaste shumë vite të tjera. Pas dymbëdhjetë vjetësh pa liri: Gazetari investigativ Günter Wallraff thotë: “Po luhet me kohën. Atij po i bëhet një vdekje me këste”./ DW

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy