Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do të ballafaqojë presidenten Vjosa Osmani me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar me propagandën e tij në Këshillin e Sigurimit, teksa ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po i diskriminon serbët në Kosovë
Ai tha se 11 vjet që nga Marrëveshja e Brukselit, Asociacioni ende nuk është themeluar nga Kosova.
“11 vjet më vonë, megjithëse serbët i kanë përmbushur të gjitha detyrimet e vështira sipas asaj marrëveshjeje, Asociacioni i Komunave Serbe nuk është as në dukje”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka shprehur edhe njëherë shqetësimin për vendimin e BQK-së për dinarin.
Ai pretendon se me këtë vendim janë prekur komunitetet joshqiptare
Sipas tij vendimi është implementuar menjëherë pavarësisht se kishte premtime nga autoritetet për shtyrje të zbatimit për tre muaj.
Ai tha se pensionistët dhe punëtorët e arsimit dhe të shëndetësisë nuk po mund t’i marrin pagat.
“Të punësuarit (serbë) në institucione po përballen me regjimin e Albin Kurtit, diskriminim i shkallës së lartë. E kjo për arsye se s’janë shqiptarë e s’janë të përfshirë në një agjendë për Shqipërinë e Madhe”, tha Vuçiq.
Ai ka deklaruar se serbëve po iu mohohen të drejtat nga Kurti për një agjendë “drejt Shqipërisë së Madhe”.
“Kurti mbeti i përkushtuar ndaj “Shqipërisë së Madhe”. Në vend që të sanksionohet, regjimi i Kurtit shpërblehet vazhdimisht”, tha Vuçiq.
Vuçiqi thotë se në vend që të dënohet Kurti për këto vendime ai po shpërblehet nga ndërkombëtarët
Presidenti serbe ka vazhduar propagandën në Këshillin e Sigurimit se ndaj serbëve në Kosovë kanë vazhduar sulmet me armë.
“Poashtu në barnatoret në veri është konfiskuar malli duke shkaktuar probleme të mëdha në shëndetësinë e serbëve”, ka vazhduar tutje Vuçiq.
Sa u përket votimeve për largim ose jo të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, ai ka thënë se rritja e numrit të votuesve shqiptarë është rritur artificialisht në muajt e fundit në komunat veriore, prandaj, sipas tij, është i kuptueshëm bojkotimi i votimit të 21 prillit nga ana e serbëve lokalë.