Kandidati i PDK-së për Kryeministër, njëkohësisht edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, po qendron këto ditë në SHBA dhe po zhvillon takime të rëndëishme me autoritete politike atje. Në postimin e tij në facebook ai ka tregur se është takuar me këshilltarin special të Presidentit Joe Biden, Michael Carpenter dhe me Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), znj. Kathleen Larkin.
Gjatë takimit kanë biseduar për sfidat që po kalon Kosova dhe për nevojën për të përparuar në aspektin diplomatik për të siguruar njohjen nga shtetet e BE-së dhe për ta forcuar sovranitetin e Kosovës.
Postimi i plotë:
Vizitën time në SHBA e fillova me një takim me Asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter, që njëherësh është Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK), si dhe me Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), znj. Kathleen Larkin. Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ne u pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe dhe përfundimisht në NATO e BE.
Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Për realizimin e të gjitha këtyre qëllimeve, partneriteti me SHBA është i rëndësisë jetike dhe për Kosovën e mua edhe i pazëvendësueshëm.

