Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak ka qëndruar në Malin e Zi për të qenë pjesë e Konferencës “2BS” dhe aty ka folur edhe për sulmin terrorist të Banjskës. Lajçak u shpreh se është për keqardhje që ende nuk ka llogaridhënie sa i përket sulmit që la të vrarë zyrtarin policor Afrim Bunjaku.
“Banjska ka pasur një ndikim shumë përcaktues në atmosferën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. BE ka qenë shumë e qartë se ata që janë përgjegjës, duhet të japin përgjegjësi. Ne e dimë kush janë këta njerëz, disa prej tyre kanë marrë përgjegjësi, është për të ardhur keq që nuk kemi parë asnjë llogaridhënie.”, është shprehur Lajçak.
Po ashtu sipas tij “gjëra si sulmi i Banjskës”, nuk duhet të kalojnë pa pasoja e pa ndëshkim:
“BE do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi, gjëra si Banjska nuk duhet të shkojnë pa pasoja, pa ndëshkim për ata që janë përgjegjës. Ka qenë një sulm i rëndë në atmosferën e rajonit dhe në marrëdhënie të mira”.