Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe njëherësh kandidat për deputet, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar lidhur me rastin e Hotelit ‘Grand’ dhe deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu ka deklaruar se sipas vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Hotel Grandin
Por Haxhiu ka thënë se Republika e Kosovës ka obligim t’ia kthejë Pacollit vlerën monetare që ai ia kishte dhënë Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në emër të privatizimit
Ndërkaq, Xhemaili ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për humbjen e 8 milionë eurove në një proces arbitrazhi, që sipas tij, lidhet me një mosmarrëveshje mes dy kompanive private, ku shteti nuk ka qenë palë
“Dje, Qeveria e Kosovës humbi 8 milionë euro në Arbitrazh për një kontratë me të cilën shteti nuk ka pasur asnjë lidhje dhe nuk ka qenë as palë në kontest. E pabesueshme se si njerëzit u mashtruan kaq lehtë nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që gjoja e ka shpëtuar ‘Grandin’, kur në fakt askush nuk ia ka kërkuar. Qeveria tani do të paguajë 8 milionë euro për një mosmarrëveshje mes dy kompanive private. Kjo është çmenduri,” ka deklaruar Xhemaili.
Çka kishte ndodhur me Grandin?
Hoteli Grand për herë të parë hapi dyert në prill të vitit 1978. Atë kohë konsiderohej si një nga ndërtesat ikonë të kryeqytetit, derisa sot thuajse e gjithë fasada e jashtme e tij është e mbuluar nga reklama të bizneseve e produkteve të ndryshme
“Grand Hotel” ishte privatizuar fillimisht në kohën e ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Për të janë paguar mbi 8 milionë euro, ndërsa investitori ishte zotuar se do të investonte 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë.
Hoteli ishte privatizuar nga kompania “Union Commerce”, me pronar Zelqif Berishën, mirëpo më vonë Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi kishin pretenduar se kanë aksione në këtë hotel.
Palët ishin përfshirë në një kontest gjyqësor për pronësinë. Por, pas dështimit për të realizuar investimet e zotuara, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që t’i tërheqë aksionet dhe e kishte marrë hotelin në pronësi.
Hapësirat e hotelit tash e disa vite shfrytëzohen për aktivitete e ekspozita të ndryshme, përfshirë Bienalen Manifesta në vitin 2022 që u organizua në disa prej hapësirave të këtij hoteli