Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka marrë vendim që ta refuzojë ankesën e operatorit që kishte ofertë dy herë më të ulët sesa kompania e papërgjegjshme “AL Dushi” që fitoi tenderin. Duke e ngarkuar vendimin në faqen e prokurimit të premten pak para mesnate, ky institucion i ka hapur rrugë mundësisë për ankesë në OSHP për cka operatori ka afat 10 ditë, që i bie se bartja e materialit votues nëpër ambasadat e Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit tashmë është mision ia pamundur.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka refuzuar ankesën e një operatori teknik për tenderin që ia dha “AL Dushi”, një kompanie të papërgjegjshme, për bartjen e materialeve votuese nëpër vendvotime në ambasadat e Kosovës në mbarë botën dhe kthimin e fletvotimeve në Kosovë, pa i plotësuar kriteret që kërkoheshin.
Refuzimin e ankesës, KQZ-ja e ngarkoi në ëeb-faqen e Prokurimit Publik të Kosovës (e-prokurimi) të premten pak para mesnatës (23:48).
Operatori ekonomik që ishte ankuar, kishte ofertë financiare gati dy herë më të ulët sesa “AL Dushi” që u shpall fitues i tenderit. Ndërsa KQZ po ‘luan’ me këtë proces të cilin e ka pezulluar, mbi 100 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendit votojnë për zgjedhjet parlamentare nga 9 janari deri më 9 shkurt, kur ato do të zhvillohen në Kosovë. Afro 105 mijë qytetarë në diasporë janë regjistruar për të votuar. Procesi i bartjes së votave të tyre, tashmë është seriozisht në rrezik
KQZ kësisoj arsyetoi lëshimet dhe mospërmbushjen e kritereve nga kjo kompani, duke mos marrë për bazë as faktin Ministria e Punëve të Jashtme ia kishte shkëputur kontratën në tetor të vitit të kaluar, pasi 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi nuk i kishte çuar në destinacion, e dokumente të tjera ishin dëmtuar.
Ministria e Punëve të Jashtme i ka kërkuar Organit Shqyrtues të Prokurimit më 24 dhjetor të vitit të kaluar që kjo kompani të futet në listë të zezë dhe të mos marrë pjesë në procese tenderuese për një vit.
Operatori ekonomik, oferta e të cilit është shpallur “administrativisht e papërgjegjshme” të mërkurën kishte parashtruar ankesë në KQZ. Në të ishin paraqitur fakte të cilat dëshmojnë se oferta e tyre për bartjen e dërgesave ndërkombëtare me status diplomatik ishte bërë konform kërkesave të parashtruara në tender.
Oferta e “AL Dushi” nuk i plotëson as kushtet bazike teknike për bartjen e dërgesave zyrtare me status diplomatik, ashtu siç edhe ishte kërkuar me tender nga KQZ.
Operatori ekonomik që u ankua, ka paraqitur dëshmi se KQZ-ja kishte bërë shkelje të rëndë të ligjit duke e propozuar si kompani fituese të tenderit kompaninë “AL Dushi”, e cila, përveç që ka ofertuar me çmim gati dy herë më të lartë, nuk i përmbush as kriteret bazike për bartjen e dokumenteve me status diplomatik
Sipas ligjit, pala ankuese tash mund të ankohet në Organin Shqyrtues të Prokurimit në një afat prej 10 ditësh nga marrja e refuzimit të ankesës.