Kryeministri Albin Kurti i ka kujtuar dy netët e tmerrit që përjetuan qytetarët në pjesën veriore të Mitrovicës, më 3 dhe 4 shkurt 2000.
Në 25 përvjetorin e ngjarjeve tragjike, Kurti ka shkruar se në atë sulm të koordinuar nga grupe të armatosura të Serbisë, u vranë 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, dhe u plagosën 25 të tjerë dhe u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.664 familje shqiptare, rreth 12.000 qytetarë të Mitrovicës.
Kurti ka shkruar në Facebook se pas një çerek shekulli, disa prej të dëbuarve po kthehen në shtëpitë e tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të sigurojë që të gjithë ata që dëshirojnë, të kthehen në mënyrë të sigurt dhe në shtëpitë e tyre të rindërtuara. Por shumë ende nuk janë kthyer, ndërsa autorët e këtyre krimeve të rënda nuk janë përballur ende me drejtësinë”, ka shkruar ai.
Kurti ka thënë se ‘me letrën e drejtuar përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, kërkojmë hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre krimeve’.
“Drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre është detyrim moral dhe hap i domosdoshëm drejt paqes së qëndrueshme në Republikën e Kosovës dhe rajonin tonë”, ka shkruar Kurti.