Disa organizata joqeveritare kanë reaguar për vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka pranuar ankesën e “Koalicionit për Familjen” ndaj vendimit të PZAP-it, i cili paraprakisht kishte gjobitur këtë koalicion për me 7,000 euro subjektin politik në fjalë, ndër të tjera, për përdorim të shprehjeve “turp ju qoftë”, “ mbrojtja e dinjitetit tonë njerëzor dhe vazhdimësisë së jetës, si të ardhmen e fëmijëve tanë nga degjenerimi dhe prishja”, “anomali sociale si dhe dukuri degjeneruese” në raport me komunitetin LGBTI+.
Këto organizata thanë se e konsiderojnë të gabueshëm vendimin e Gjykatës Supreme të datës 5 shkurt 2025 dhe thanë se përmes tij legjitimohet përdorimi i fjalëve “degjenerim”, “prishje” e “anomali sociale” në relacion me komunitetin LGBTI+.
“Vendimi i Gjykatës Supreme vjen pas ankesës së subjektit politik “Koalicioni për Familjen” kundër vendimit të datës 27 janar 2025 (A .Nr.183/2025) të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. PZAP kishte gjobitur me 7,000 euro subjektin politik në fjalë, ndër të tjera, për përdorim të shprehjeve “turp ju qoftë”, “ mbrojtja e dinjitetit tonë njerëzor dhe vazhdimësisë së jetës, si të ardhmen e fëmijëve tanë nga degjenerimi dhe prishja”, “anomali sociale si dhe dukuri degjeneruese” në raport me komunitetin LGBTI+. Sipas PZAP-it, këto shprehje ishin në kundërshtim me rregullat e fushatës zgjedhore që kërkojnë nga subjektet politike që gjatë fushatës të shmangin përdorimin e gjuhës fyese, denigruese dhe urrejtëse”.
Në reagim thuhet se “shprehjet ishin bërë nga kandidatët e subjektit politik kryesisht përmes postimeve në media sociale dhe tubime elektorale. Ankesat në fjalë janë parashtruar nga organizatat Dylberizm dhe Qendra për Barazi dhe Liri – CEL”.
“Tani, më 3 shkurt 2025, Gjykata Supreme ka pranuar ankesën e “Koalicionit për Familjen” ndaj vendimit të PZAP-it dhe ka refuzuar ankesat e organizatave të lartpërmendura. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thotë se përmes këtyre fjalëve, kandidatët “shpalosin programin” e subjektit politik dhe se fjalët e përdorura “nuk janë të drejtuara kundrejt një subjekti apo komuniteti të caktuar, në atë mënyrë që të ngjallë apo nxitë urrejtje ndaj tyre”. Aktgjykimi është marrë nga gjyqtarët: Muhamet Rexha (kryetar) dhe Beshir Islami dhe Rrustem Thaqi (anëtarë të kolegjit)”.
OJQ-të thanë se konsiderojnë se Gjykata Supreme ka dështuar të kuptojë seriozitetin e përdorimit të shprehjeve “degjenerim”, “anomali sociale” e “prishje” nga ana e Koalicionit për Familjen në raport me komunitetin LGBTI+.
“Këto shprehje përveç se janë shprehje paragjykuese, ato nxisin përbuzje dhe dehumanizim të personave LGBTI+, duke promovuar jotolerancën dhe ndjellin urrejtje ndaj komunitetit LGBTI+. Si të tillë, përdorimi i këtyre shprehjeve nuk duhet të tolerohet dhe arsyetohet me vendime gjyqësore, sidomos kur ato vijnë nga një gjykatë e lartë”.
Organizatat kanë përmendur standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut sipas “së cilave shprehjet që kundërshtojnë vlerat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – siç janë drejtësia, paqja, toleranca, dhe mosdiskriminimi – nuk mbrohen me nenin 10 të Konventës për lirinë e shprehjes, por konsiderohen si abuzim i të drejtave sipas nenit 17 të Konventës (Ndalimi i shpërdorimit të të drejtave)”.
“Përtej shprehjes specifike, ky aktgjykim ka ndikim më të gjerë në shoqëri për shkak se normalizon uljen e standardit në diskursin publik politik. Gjykata Supreme është dashur të zbatojë standardet e GjEDNj-së sipas së cilave është thelbësore për politikanët që kur të shprehen në publik të shmangin komente që ndikojnë në jotolerancë dhe që kanë për detyrë të mbrojnë demokracinë dhe parimet e saj”.
“Koalicioni për Familjen ka përdorur në mënyrë të papërgjegjshme lirinë e shprehjes për të sulmuar komunitetin për përfitime elektorale dhe iu takon institucioneve publike, sidomos atyre të drejtësisë, që të mbrojnë komunitetet dhe të krijojnë standarde ku e drejta e lirisë së shprehjes përdoret me përgjegjësi”.