Votat e diasporës, Kurti e ka “praktikisht të pamundur” ta bëjë qeverinë pa parti opozitare, i duhen mbi 90%

by Nexhat

Albin Kurti ka shfaqur deklarativisht gatishmërinë për ta formuar qeverinë e re “Kurti 3” pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Këtë e proklamoi natën e zgjedhjeve kur rreth mesnatës shpalli fitoren dhe parmbrëmë në një postim në Facebook.

Por, Lëvizjes Vetëvendosje i duhet një partner koalicioni për formimin e një qeverie të re. Ajo ka marrë 341,672 vota apo 40.84%, kur kanë mbetur pa u procesuar vetëm edhe 7 vendvotime.

banner

Partia Demokratike e Kosovës ka 184,499 vota apo 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 147,827 vota apo 17.67% dhe koalicioni AAK, Nisma dhe të tjerët 62,309 vota apo 7.45 %

Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim i tha të mërkurën Gazetës Express se është “praktikisht pothuajse e pamundur” që LVV-ja t’i sigurojë 50 apo 51 ulëse në Kuvend edhe pasi të jenë numëruar votat me postë. Për ta arritur në atë numër, ai tha se kësaj partie i duhen “mbi 90% të votave të diasporës”.

“Meqenëse kemi të bëjmë me mbi 80 mijë vota të cilat janë ende në kalkulim, të njëjtat mund të kenë impakt në rezultatin e zgjedhjeve, por impakt ky i cili besoj se do të jetë margjinal, për shkak se, nëse ndiqen trendet e zakonshme, pra, kur Lëvizja Vetëvendosje fiton 56-70% të këtyre votave, maksimumi i mandateve që mund të shkojë, unë po them edhe dy sosh për Lëvizjen Vetëvendosje. Kësaj partie i duhen mbi 90% të votave të diasporës në mënyrë që të sigurojë mandatin e 50-të apo 51-të në këtë rast, gjë që unë besoj që në bazë të të gjitha trendeve dhe praktikave, është praktikisht pothuajse e pamundur”.

Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, pra atyre që janë tash për tash, Cakolli thotë se “Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 47 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 25, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe AAK-Nisma 8 deputetë”.

PDK-ja ka thënë se po pret procedurën për t’i bërë “hapat e nevojshëm në kohën e duhur” për formimin e qeverisë së re, por vetëm pasi të përfundojë përpjekja e LVV-së për ta bërë këtë paraprakisht.

“Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, në një konferencë për media të hënën.

Kryesia e PDK-së u të mërkurën mbajti një mbledhje, pas së cilës u tha se “kryetari Krasniqi dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, kanë konfirmuar se çdo vendim politik i PDK-së do të merret me përgjegjësi nga organet drejtuese të partisë, duke u bazuar në interesin e qytetarëve dhe vizionin për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se partia më e vjetër në vend mori “rezultat të mirë pas rënies historike”, por tha se ai “nuk është rezultat ndryshimi”. Ai përmendi qëndrimet e tij, ndërsa tha se s’do pushtet me çdo kusht

“Pavarësisht të gjithave, siç e thash në Konferencën e natës së zgjedhjeve, ky rezultati nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën; sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë. Do t’i respektoj këto preferenca sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim!”, shkroi ai të mërkurën në një postim në Facebook.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, e cila garoi në koalicion me Nismën, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, tha të dielën se e gëzon “fakti që opozita i ka fitu këto zgjedhje” dhe se po pret bashkëpunim me partitë opozitare “për krijimin e qeverisë së opozitës”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy