Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani thotë se çështja e presidentit nuk është ajo që do ta komplikojë formimin e qeverisë së re. Ai tha në një intervistë për Gazetën Express se këtë gjë më të vështirë do ta bëjë “implementimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, përkatësisht autonomia serbe, të cilën zoti Kurti e pranoi në Bruksel në pranverën e vitit 2023”.
Ai thotë se “frika nga përmbushja e këtij detyrimi mbetet burimi kryesor i obstruksionit në formimin e qeverisë së ardhshme”.
Formimi i qeverisë së ardhshme, Hasani thekson se “do të ketë si pikë referimi dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit të BE-së ose të ndonjë draft-statuti tjetër” dhe se “nuk ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës”.
Kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese pret që Administrata Trump do ta shtyjë përpara zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndonjë marrëveshje tjetër ai thotë se “nuk është e nevojshme”, por beson se asaj ekzistuese do t’i shtohet “dimensioni ekonomik”.