Refuzimi i kërkesës për lirimin e përkohshëm të ish-presidentit Hashim Thaçi për të vizituar babanë e tij të sëmurë ka ngjallur reagime në vend. Njohës të drejtësisë e kanë cilësuar këtë vendim si cenim të të drejtave të garantuara me ligj, ndërsa nga Organizata e Veteranëve të Luftës, e kanë quajtur një veprim çnjerëzor të gjykatës.
Avokati Jashari ka theksuar se rregulloret dhe ligjet në fuqi parashohin që një i paraburgosur mund të lirohet përkohësisht për arsye humanitare, gjë që sipas tij, është plotësisht e justifikueshme në rastin e Thaçit.
“Konsideroj që ky vendim i cenon rënd të drejtat e garantuara të Thaçit, i cili këto të drejta i ka në bazë të rregulloreve dhe ligjeve ne fuqi. Konkretisht gjykata është e detyruar që në rrethana dhe raste të caktuara për arsye bindëse, humanitare, ta liroj përkohësisht çdo të pandehur që justifikon lirimin e tij. Me këtë rast kemi të bëjmë më një çështje tipike humanitare sepse dihet mirëfillti dhe është e njohur botërisht se babai i të pandehurit Thaçi po vuan nga një sëmundje e rëndë dhe nuk ka pasur asnjë arsye ai të pengohet ose thënë më mirë që ai të mos lirohet për ta vizituar atë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Ai ka shtuar se në bazë të rregullores së procedurës dhe provave, një i paraburgosur mund të lirohet përkohësisht, nëse arsyet humanitare janë bindëse për gjykatën.
“Kjo gjë është e mundshëme në bazë të rregullativës ligjore, konkretisht të rregullores se procedurës dhe provave e cila ka paraparë se i paraburgosuri ose i burgosuri mund të lirohet përkohësisht për arsye humanitare dhe këto arsye me qëllim që nëse të njëjta janë bindëse për gjykatën. Unë mendoj që gjykata ka pasur shumë arsye dhe nga faktet e prezantuara ka mundur ta liroj dhe është dashur ta liroj Thaçin që të vije ta vizitoj babain e tij natyrisht në kushte dhe rrethana që ia përcakton gjykata”, ka thënë ai.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve , Gazmend Syla, ka thënë se refuzimi i kësaj kërkese është vetëm një nga shumë shkeljet që po u bëhen ish-luftëtarëve të UÇK-së në Hagë. Ai ka kritikuar mënyrën se si është formuar dhe si po funksionon gjykata, duke thënë se ajo po i vazhdon të njëjtat gabime që, sipas tij, janë bërë nga prokuroria.
“Në fakt kjo nuk është një nga sjelljet, janë disa shkelje që janë duke u bërë bashkëluftëtarëve tanë atje.
Kjo e fundit është një gjest jo human i gjykatës që bënë karshi ish presidentin Thaçi për të vizituar babën e vetë edhe në moshë të shtyrë edhe me probleme shëndetësore. Kjo pyetje është dashur që t’iu bëhet edhe deputeteve që në atë kohë edhe votuan për themelimin e kësaj Gjykate, prandaj neve edhe disave që kemi mëndur që kjo gjykatë nuk do të bëjë gabime të prokurorisë, asaj prokurore e cila u furnizua me gjitha ato materiale, më shumë serbe dhe atyre njerëzve që nuk ia deshtën lirinë vendit tonë.
Ndonjëherë kemi menduar që gjykata do të marr ndonjë vendim të drejt që të mos bie ne grackën e prokurorisë mbi ato akuzat pa baza që i ngriti, por tani se fundi me këto lëvizje që po i bënë gjykata me gjasë do ti humb kuptimi edhe drejtësisë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.Syla ka shpresuar që administrata e re amerikane do t’i japë një qasje të re kësaj gjykate dhe do të ndikojë në shpalljen e pafajësisë së ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Prandaj ne nuk jemi fare të kënaqur me këto zhvillime që po ndodhin edhe shpresojmë që administrata e re e presidentin Trump do t’i jap një qasje, do t’i jep kuptim kësaj gjykate dhe bashkëluftëtaret tanë t’i shpall të pafajshëm”, ka thënë ai.