Aksidenti me fatalitet që ndodhi sot në aksin rrugor të fshatit Domorovc-Hodonovc, në Ranillug, ka tronditur Kosovën. Si pasojë e këtij aksidenti dy vajza kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur e lënduar dhe po trajtohet në spital.
Fillimisht u raportua se bëhej fjalë për një vetaksident, mirëpo Policia tashmë ka kryer hetimet më të detajuara dhe është ngritur dyshimi se bëhet fjalë për aksident ku u përfshi edhe një kamion.
“Si rezultat i veprimeve hetimore nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, shikimit të vendit të ngjarjes, këqyrjes së kamerave dhe mbledhjes së provave të tjera, me vendim të Prokurorit të Shtetit është ngritur dyshimi se nuk kemi të bëjmë me vet aksident por me aksident trafiku ku dyshohet se drejtuesi i kamionit me targa vendore mashkull Kosovar i vitit të lindjes 1970 si pasojë e kthimit të pasigurt ka penguar lëvizjen e automjetit i cili ishte në tejkalim, ku drejtuesja e automjetit nga mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës humbë kontrollin mbi mjet në tentativë për shmangie të goditjes së kamionit dhe përfundon e rrokullisur jashtë rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Faqja lokale “Revista Gjilani” ka publikuar edhe pamjet e aksidentit tragjik, ku shihet vetura dhe kamioni i përfshirë. Shoferi i kamionit me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Sipas raportimeve te mediave, viktimat e këtij rasti janë Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi.
Ato nuk arritën të iu bëjnë ballë plagëve që morën dhe humbën jetën, ndërsa motra e Arbnorës ndodhet në spital. Ndërkaq, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në IML për obduksion.