A janë hipotekat dhe mëkatet partiake, ato pengesat “kredibile” që po e mbajnë peng bllokimin e gjendjes në Parlamentin e Kosovës?

by engel

Shkruan: Sociologu, Prof. Fadil Maloku

(Do konstatuar decidivisht, se; Ish qeveria dhe ish opozita asnjëherë në këto gati tri dekada të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, nuk u ulën për t’a diskutuar një strategji unike e të përpunuar deri në detajet me të vogla, mënyrën më adekuate të minimizimit dhe të rolit të varësisë së pushtet mbajtjes që është krijuar nga Lista “Serpska”!? Kjo dobësi e mangësi absurde e iracionale, në sferën bashkëpunimit ndërpartiak pa asnjë dilemë do reflektonte taksativisht; si në krijimin e një kondite të re Kushtetuese, ashtu edhe në gjetjen e një hapsire të re e në përputhje me procesin e vendimmarrjes për zhbllokimin e situatave si kjo e ngërçit aktual torturues që po zhvillohet rreth konstituimit të organeve të legjislativit)

banner

1. P.sh. asnjëherë nuk kam dëgjuar që bashkërisht këto subjekte politike që po e pretendojnë “mirëmbajtjen” (lexo: marrjen përmes votës qytetare) ta diskutojnë hallin e reperkusioneve eventuale që mund të shkaktoj krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, (përkatësisht Zajednicës), në mënyrë që të ruhet me xhelozi shumë më të madhe balanca ndërmjet integritetit shtetëror dhe të drejtave të komuniteteve? Ndërkaq, ajo çka është edhe më shqetësuese e që ka të bëjë me këto subjekte është; se të po njëjtat tani po mundohen të shpikin e të krijojnë madje edhe “argumente” të qenë e të pa qenë vetëm e vetëm që ta bllokojnë procesin e konstituimit e organeve të Kuvendit. Madje, edhe me çmimin e manifestimit publik të një “patriotizëm shtetëror”, ku edhe “gara” (shkaku i ruajtjes apo marrjes së pushtetit) për ta dëshmuar këtë cilësi e tipar, po i shtynë ata ta “mirëmbajnë” edhe me tej diskursin e koncesioneve shtesë (përveç atyre si: Marrëveshjet shumë të dëmshme; 2013, 2015, po edhe kjo e fundit e vitit 2023 në Ohër) ndaj Serbisë!?

2. Këto subjekte që e kanë përplot “gojën” patriotizëm shtetëror, vullnet institucionalist e kredi të mjaftueshme në themelimin e këtij shteti centaur, te paktën që kanë mundur t’i ofrojnë këtij populli, ka qenë një “Marrëveshje xhentëlmenë” midis tyre. Ku fillimisht përmes konsultave partiake e premisave ideologjike do arrinin një konsensus politik për ta krijuar një ekspertizë obligative kombëtare. E cila përveç efektit të brendshëm dhe atij të jashtëm do e kryente edhe funksionin e mekanizmit shumë funksional (juridiko-politik) për stopimin e mëtejmë të erozionit që është duke iu shkaktuar sovranitetit (edhe ashtu) të lënduar e të cunguar të shtetësisë së Kosovës. Kur them “ekspertiza”, aludimi im është të modelet alternative ndaj Zajednices, në mënyrë që të mund të mbrohej me argumente (juridike, politike, ekonomike, etnike, etj.) shumë më mirë integriteti shtetëror, bashkë me kete fakt edhe respektimi i të drejtave të komuniteteve joshumicë. Interesant! Asnjëra nga këto subjekte, që po na bombardon që tre muaj me “patriotizëm” e me kinse vullnet të gatshëm politik për dalje nga kriza e bllokimit, nuk ishte në gjendje ta prodhoj në “laboratorët” e veta partiake e ideologjike, të paktën një alternativë të vetme, se si ta shmangim një “Republika Srpska” te re që e ka si synim strategjik Serbia në territorin e Kosovës!?

3. Te gjitha këto subjekte hisedarë (pa asnjë mëdyshje!) në mëkatin e indiferencës, e të zhytura “deri në gjunjë” edhe në aferat, skandalet, krimet, korrupsionin, po edhe shitjen e çdo pëllëmbë toke (shkaku i karrikës së pushtetit!?) të Kosovës, një ditë kur të hapen arkivat dhe dosjet e secilës do kuptohet nga të gjithë, se si dhe sa kanë “kontribuar” në; mashtrime e koncesione që bënë dëme shtetësisë. Dhe jo vetëm shtetësisë, po edhe mbarë procesit të vonesave integruese brenda shqiptare! Hipotekat e dëmeve në të kaluarën, por edhe “kontributet” e tyre në situatën e tashme bllokues, nuk do hiqen me shpejtësi drite, ashtu si ato mendojnë. Andaj, bëjë apel që këto subjekte të ulin kokën dhe të paktën (shkaku i këtyre hipotekave djallëzuare) të “heshtin” dhe të qëndrojnë mënjanesh në mënyrë që mos pengojnë konstituimin e organeve legjislative dhe atyre ekzekutive ne vijim…

    banner

    Të ngjajshme

    This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

    Privacy & Cookies Policy