Çdo shtetasi të Kosovës që regjistrohet për të votuar nga jashtë Kosovës dhe atë përmes postës, tani e tutje KQZ-ja do t’ia dërgojë fletëvotimin në adresën e tij.
Kështu vendosi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rregulloren Zgjedhore për Votimin Jashtë Kosovës, që u miratua në mbledhjen e këtij institucioni. Miratimi i kësaj rregulloreje me ndryshime vjen në kohën kur pritet të shpallen zgjedhjet lokale.
Në zgjedhjet e kaluara, sipas rregullave zgjedhore të KQZ-së, votuesit që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, kanë mundur që ta shkarkojnë fletëvotimin nga faqja e KQZ-së dhe ta dërgojnë atë të plotësuar në adresë të kutisë postare të KQZ-së.
Sipas rregullimit të ri nga KQZ-ja, sipas anëtarit të KQZ-së Ilir Gashi, i cili sqaroi këto ndryshime, tha se një votues i regjistruar jashtë Kosovës për të votuar me postë, do të mund të votojë vetëm me fletëvotimin që do t’i dërgohet në adresën e tij jashtë vendit.
Kostoja që përfshin dërgimin e fletëvotimit përmes postës nga KQZ-ja tek votuesi i regjistruar, do të mbulohet nga KQZ-ja. Ndërkaq, votuesi do të mbulojë vetëm koston e dërgimit të pakos me fletëvotim në adresën e kutisë postare të KQZ-së, ashtu siç ka qenë e rregulluar deri më tani.
Se sa do t’i kushtojë buxhetit të shtetit dërgimi i fletëvotimeve në adresë të votuesve do të përcaktohet më vonë nga KQZ-ja, u tha në këtë mbledhje.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës ka qenë 84,600 votues.
Të gjitha këto detaje janë bërë të njohura në mbledhjen e KQZ-së, të enjten pasdite, ku u theksua se regjistrimi i votuesve do të bëhet duke ngarkuar fotografinë e tij në kohë reale, e cila do të bëhet e mundur përmes platformës elektronike të KQZ-së.
Ndryshimet, sipas anëtarëve të KQZ-së, synojnë të përmirësojnë integritetin e votimit jashtë Kosovës, për të cilin ka pasur shpeshherë ankesa.
Për këto ndryshime, kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka pyetur anëtarët nëse këto ndryshime të mëdha do të zbatohen me sukses, nga të cilët mori përgjigjen se kjo çështje është trajtuar me kujdes.
Në fund, rregullorja u miratua me 9 vota për dhe 1 abstenim. I vetmi që abstenoi ishte Radoniqi për shkak të dilemave lidhur me zbatimin e ndryshimeve./EO/