Qendrat bërthamore iraniane në shënjestër të Izraelit: Fokusi për të shkatërruar qendren bërthamore Fordo

by engel

Prej ditësh, forcat ajrore izraelite kanë ndërmarrë sulme të intensifikuara ndaj Iranit, duke shënjestruar objekte strategjike të programit bërthamor iranian. Qeveria izraelite deklaron se synon të ndalë zhvillimin e një bombe bërthamore nga regjimi në Teheran — qëndrime që autoritetet iraniane i mohojnë me vendosmëri.

Sulmet më të fundit kanë shkaktuar dëme serioze në objektet bërthamore të Natanzit dhe Isfahanit, ku, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Irani kishte pasuruar uraniumin deri në 60 për qind.

banner

Kjo shifër është shumë mbi kufirin e nevojshëm për përdorim civil dhe afron ndjeshëm me nivelin e nevojshëm për armë bërthamore — rreth 90 për qind.

Drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, njoftoi se centrifugat mbi tokë janë shkatërruar pothuajse plotësisht, ndërsa ekziston shqetësimi për kontaminim të mundshëm nëntokësor.

Në Isfahan, sulmet dëmtuan të paktën katër ndërtesa ku përpunohej e ashtuquajtura “tortë e verdhë”, një fazë kritike për pasurimin e uraniumit.

Vëmendje të veçantë ka tërhequr kompleksi nëntokësor i Fordos, në jug të Teheranit, i mbrojtur me beton të përforcuar dhe sisteme tunelesh të ndërtuara për t’i shpëtuar inspektimeve ndërkombëtare dhe sulmeve ajrore.

Edhe pse objektivi zyrtar i Fordos është përdorimi mjekësor i uraniumit, autoritetet perëndimore kanë ngritur dyshime mbi përdorimin e tij për qëllime ushtarake, veçanërisht pasi Irani kufizoi qasjen e IAEA-s dhe pezulloi pajisjet e monitorimit.

Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare paralajmëron se me kapacitetet aktuale, Irani mund të prodhojë uranium të gradës ushtarake brenda tre javëve, të mjaftueshëm për disa koka bërthamore.

Ndërkohë, vështirësia për të shkatërruar objektin në Fordo është e lartë.
Ekspertët ushtarakë theksojnë se vetëm bomba ultra të rënda për bunkerë, si GBU-57 e përdorur nga avionët amerikanë B-2 ose B-52, mund të arrijnë objektivin — një veprim që nënkupton përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në konflikt.

Diplomacia ndërkombëtare ndërkohë përpiqet të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm, ndërsa situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar dhe tepër e paqëndrueshme.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy