Një debati i ashpër dhe konfrontues po zhvillohet në rrjetet sociale ndërmjet ish-kreut të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, dhe të ashtuquajturit “profesor”, Sadri Ramabaja, i cili është i njohur si një zë militant të rrymës qeveritare.
Gjithçka nisi me një sulm të ulët dhe të paprovuar nga Ramabaja ndaj Ymerit, duke e akuzuar si përçues të politikave serbe në Kosovë, vetëm pse ky i fundit sipas Ramabajes kishte shprehur rezerva për ndërtimin e dy urave të reja në Mitrovicë – një qëndrim që, sipas Ramabajes, përputhet me ato të Beogradit dhe serbëve lokalë.
Ramabaja, me një guxim të çuditshëm për një “akademik”, shpërndau një artikull të mediave pro-Vuçiqit si referencë për ta sulmuar Ymerin, duke ndërtuar një narrativë të rreme mbi pozicionet politike të tij. Ai e cilësoi Ymerin si pjesë të “opurtunistëve të kohës së Jugosllavisë”, që sipas tij, sot mendojnë me “dioptrinë e vasalitetit”.
Por Visar Ymeri nuk e la të kalojë në heshtje këtë sulm të ulët. Në një postim të drejtpërdrejtë dhe konfrontues, ai qortoi publikisht Ramabajen, duke e akuzuar se po informohet nga propaganda serbe dhe po shpërndan lajme të rreme për të nxitur konfuzion dhe diskreditim politik.
“Pse bre Sadri? Pse shpërndan media të përkrahura nga Vuçiqi? Aq më tepër, pse bie pre e titujve të këtyre mediave?”, shkruan Ymeri, duke ia bashkangjitur edhe linkun e emisionit të plotë ku ka shprehur qëndrimet e tij për urat në Mitrovicë – që, sipas tij, nuk kanë asnjë lidhje me pozicionin e Beogradit.
Ai i bën thirrje Ramabajes që të dëgjojë deklarimet e plota para se të përhapë shpifje, duke shtuar:
“Degjoje! Pastaj kritiko sa të duash. Por aman mos u bo viktimë e titujve të Kosovo Online – se marre për besë!”
Kjo përplasje po ndiqet me interesim në opinionin publik, duke rikthyer pyetjen e vjetër: Kur kritika bëhet përmbajtje e mendimit të lirë, dhe kur ajo kalon në shpifje të koordinuara politike?
Fakti që një figurë si Ramabaja bazohet në mediat e njohura për afërsinë me Vuçiqin për të ndërtuar akuza kundër një kritiku të brendshëm si Visar Ymeri, po ngjallë shqetësim në qarqet intelektuale dhe publike.