Mbështetësi i zëshëm i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, ka shprehur bindjen se takimi i sotëm ndërmjet Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt do të përmbyllet me një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe hapjen e rrugës për formimin e Qeverisë Kurti 3.
Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Ramabaja e ka vlerësuar takimin si një akt të “patriotizmit kushtetues”, duke lavdëruar liderët Kurti e Limaj për, siç e quan ai, maturinë politike dhe përkushtimin ndaj interesave shtetërore.
“Qeveria Kurti 3 po vije si produkt i patriotizmit kushtetues të këtyre dy liderëve”, shkruan Ramabaja, duke kritikuar “linjën e SHIK-ut” dhe “krahun rigid” brenda PDK-së dhe LDK-së për tentimet për ta minuar marrëveshjen.
Megjithatë, pavarësisht optimizmit të tij, Ramabaja duket se ka anashkaluar një fakt kyç: për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, nevojitet një shumicë parlamentare e qartë – e cila aktualisht, sipas të gjitha llogaritjeve, i mungon vetëm për një votë.
Përtej deklaratave optimiste, situata në terren mbetet e brishtë. Se a do të mjaftojë marrëveshja eventuale mes Kurtit dhe Limajt për t’i dhënë fund ngërçit institucional, mbetet të shihet në seancën e radhës, e 50-ta me radhë, e cila mund të jetë vendimtare për të ardhmen politike të vendit.