“Prishtina që duam”, Përparim Rama shpall kandidaturën për një mandat të dytë si kryetar i kryeqytetit

by Nexhat

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur zyrtarisht rikandidimin e tij për një mandat të dytë në krye të kryeqytetit si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në fjalimin e tij, Rama tha se mandati i parë shënoi fillimin e transformimit të Prishtinës, ndërsa në mandatin e dytë synon përmbylljen e projekteve kyçe që kanë mbetur në proces. Ndër projektet që veçoi ishin: përfundimi i sheshit deri te rrethi me flamur, ndërtimi i unazës së brendshme, sheshi “George Bush”, rruga A, si dhe zgjerimi i modelit të mësimit tërë ditor.

banner

“E nisëm katër vjet më parë një transformim të vërtetë që vendosi themelet për një të ardhme të qëndrueshme. Rruga A thoshin se nuk bëhet, por ia kemi nisur dhe do ta përfundojmë. Mësimi tërë ditor po ndihmon mbi pesë mijë nxënës dhe familjet e tyre në aspektin ekonomik,” tha Rama, duke shtuar se deri në fund të këtij viti të gjitha klasat në shkollat e Prishtinës do të pajisen me tabela digjitale.

Ai e vuri theksin edhe te projekti i unazës së brendshme, për të cilën tha se do të ndihmojë në zgjidhjen e trafikut dhe do të krijojë kushte më të mira për lëvizjen e ambulancave, policisë, biçikletave dhe këmbësorëve.

“Unaza e brendshme do të përfundojë në këtë mandat. Do të sjellë siguri më të madhe për të gjithë, dhe do ta bëjë Prishtinën një metropol të denjë për banorët e saj,” u shpreh ai.

Rama foli gjithashtu për trajtimin e çështjes së qenve endacakë, duke thënë se qasja humane përmes adoptimit ka dhënë rezultat, me rreth 2 mijë qen tashmë të sistemuar në shtëpi.

Në fokusin e tij është edhe organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030, ku Prishtina do të jetë nikoqire. Sipas tij, master-plani për zonën e lojërave do të ndikojë në zhvillimin urban dhe ekonomik, jo vetëm të kryeqytetit por të gjithë Kosovës.

Kandidatura e Ramës është mbështetur fuqishëm nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili lavdëroi punën dhe vizionin e Ramës gjatë mandatit të tij të parë.

“Katër vjet më parë u rreshtuam pas një njeriu me ëndrra të mëdha dhe një vizion të shkëlqyeshëm për Prishtinën. Ai e ndërtoi një ekip të jashtëzakonshëm dhe punoi me përkushtim. Sot, pas katër vjetësh, e rikandidojmë për të vazhduar punën e nisur,” tha Abdixhiku.

Në garën për kryetar të Prishtinës përballë Ramës do të jenë:

Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK),

Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV),

Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),

Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor 2025.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy