Pacolli: Sulmi ndaj meje i organizuar, agresori po paraqitet si viktimë

by Nexhat

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar lidhur me incidentin që ka ndodhur sot në ambientet e një lokali në Prishtinë, ku, sipas saj, është përballur me kërcënime dhe sulm verbal nga një person i identifikuar si Agim Pllashniku.

Në një postim në Facebook, deputetja Pacolli ka deklaruar se sulmi ndaj saj nuk ka qenë spontan, por, sipas saj, “i organizuar dhe i mirëkoordinuar”. Ajo pretendon se ngjarja është dokumentuar me video nga gruaja ose vajza e personit në fjalë, të cilat ishin të pranishme në vendngjarje. Sipas saj, videoja që po qarkullon në rrjetet sociale është e manipuluar dhe nuk përfshin momentet kyçe të incidentit.

banner

“Në video nuk shfaqet momenti i sulmit të tij verbal dhe fizik ndaj meje, as çasti kur agresori sulmon fizikisht asistentin tim, e madje as momenti kur tenton të fusë dorën në çantën që mbante me vete, për të cilën ekziston dyshimi se mund të ketë pasur armë”, ka shkruar Pacolli.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje pohon se akti i dhunës është kryer përballë shumë dëshmitarëve, përfshirë edhe Avokatin e Popullit dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës që ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes.

Ajo ka kritikuar ashpër disa portale dhe analistë të cilët, sipas saj, po tentojnë të paraqesin sulmin si një akt “heroik” dhe agresorin si viktimë. 

“Këto portale nuk kanë për qëllim informimin e publikut. Ato janë kthyer në instrumente të dhunës së organizuar dhe sistematike kundër meje, duke përhapur qëllimisht urrejtje, kërcënime, shpifje, thirrje për sulme verbale e fizike, si dhe dhunë politike e psikologjike, me qëllimin e vetëm për të më detyruar të tërhiqem nga angazhimi im politik. Këto veprime tashmë përbëjnë përgjegjësi penale”, ka shkruar ajo.

Deputetja Pacolli tutje ka thënë se nuk do të frikësohet, nuk do të heshtë dhe nuk do të tërhiqet, por do të vazhdojë, siç ka thënë “sypatrembur dhe palëkundur” në rrugën e saj të drejtë. 
“Dhe nuk do të lejoj që e vërteta të deformohet nga ata që përkrahin dhunën dhe krimin”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, Policia e Kosovës lidhur me këtë incident ka konfirmuar se i dyshuari është ftuar për intervistim nga ana e policisë dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘’Kanosje’’ dhe i njëjti më pas është  proceduar i lirë.

Një qytetar është konfrontuar me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, gjatë të premtes pasdite në një kafene në kryeqytet.

Në videon e publikuar në media shihet se qytetari në fjalë afrohet tek tavolina e deputetes Pacolli dhe ia lë faturën e tij, duke aluduar që ajo të paguajë, duke i thënë: “Qe këtë faturë se i ke bo miliardat”, e më pas edhe duke e ofenduar me fjalë si ‘Hajdute”.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me këtë incident nga familja Pllashniku.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy