Kurti kishte premtuar 160 çerdhe, përgjigjet Nagavci: Deri me tani 22 çerdhe janë përuruar

by Nexhat

Arbërie Nagavci, ministrja në detyrë e Arsimit ka deklaruar se deri tani janë në proces të ndërtimit 71 çerdhe, ndonëse Qeveria Kurti premtoi ndërtimin e 160 çerdheve në mandatin katër vjeçar.

Kur u pyet se sa çerdhe janë kryer, Nagavci tha se 22 çerdhe janë përuruar dhe iu është prerë shiriti, që i bjen vetëm 13.75% prej asaj që është premtuar që do të kryhen brenda një mandati qeverisës.

banner

“Janë disa që janë në përfundim, disa prej tyre janë adoptim, disa janë çerdhe të reja. Nëse e shohim me buxhet janë diku afër 40 milionë euro. Nëse e krahasojmë me të gjitha qeveritë paraprake, për 17 vite d.m.th Ministria e Arsimit ka ndërtuar vetëm 4 çerdhe në vlerë 1.2 milionë euro, ndërkohë në mandatin tonë, pra për një mandat kemi ndërtuar 70 ose janë në proces të ndërtimit 71 çerdhe.” – tha Nagavci në “Kallxo Përnime”

Sa i përket ndërtimit të çerdheve në Prishtinë, ministrja në detyrë pretendoi se pati neglizhencë nga Komuna e Prishtinës për të lëshuar leje të ndërtimit të çerdheve.

“Kemi dërguar disa letra zyrtare, ka pasë neglizhencë të vazhdueshme në Komunën e Prishtinës në raport me investimet… Komuna e Prishtinës, ish-drejtoreshat [e Arsimit] edhe drejtorët e Urbanizmit, nuk na kanë pajisë me leje të ndërtimit në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë punimet. Pra, nuk ka asnjë kërkesë të Komunës së Prishtinës që ne nuk e kemi plotësuar” – shtoi Nagavci.

Prej 71 çerdheve në proces të ndërtimit, ajo tha se tri prej tyre janë në kryeqytet.

KALLXO.com e ka pyetur Përparim Ramën, kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe Samir Shahinin, drejtorin e Arsimit në këtë komunë, më 01.08.2025, për pretendimet e Nagavcit se pati neglizhencë dhe nuk iu lëshua leje për ndërtimin e çerdheve. Ata nuk janë përgjigjur deri në publikimin e lajmit

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy