Autori Dr. Engelbert Zefaj është Profesor Universitar
Mos prit mirëqenie në këtë vend përderisa qeveria dështon e elektorati fanatik e mbron!
Nëse ia do të mirën vendit, duhet të mbash anën e popullit, sepse populli është sovrani – e jo anën e qeverisë e cila shikon interesat e ngushta partiake e personale.
Populli janë mjekët, mësuesit e profesorët, punëtorët e bizneseve, policia, zjarrëfikësit, punëtorët e administratës, sportistët, artistët, bujqit, gjykatësit e prokurorët. Janë edhe vetë politikanët! Është e domosdoshme që zëri i tyre të dëgjohet nëse duam mirëqenie, që në fakt nuk po ndodh.
Mirëqenia fillon nga shëndetësia. Por të gjithë jemi dëshmitarë se spitalet janë në gjendje të mjerueshme, mjekët ankohen, pacientët vuajnë e qeveria nuk i dëgjon! Pra, mos prit mirëqenie për pacientët në spitale e ambulanta përderisa qeveria nuk vepron e elektorati e mbron!
Arsimi, shtylla tjetër e shoqërisë, është braktisur. Mësuesit, arsimtarët dhe profesorët janë lënë në harresë, kërkesat e tyre për kushte më të mira injorohen. Mos prit mirëqenie për nxënësit në shkolla përderisa qeveria nuk i dëgjon!
Ekonomia është goditur rëndë. Bizneset, që janë gjeneratori i punësimit dhe zhvillimit, janë të luftuara nga vetë qeveria. Investimet janë tkurrur, tregu është dobësuar, e truri po ikë nga vendi. Si mund të ketë mirëqenie kur qeveria lufton prodhuesin dhe krijuesin e vlerës? Mos prit mirëqenie përderisa qeveria nuk i dëgjon dhe nuk bashkëpunon!
Siguria është një tjetër fushë e lënë pas dore. Policia përballet çdo ditë me dhjetëra raste aksidentesh, vetëvrasjesh e përleshjesh fatale, por qeveria është e fokusuar vetëm në veri, duke harruar qytetarët në pjesët tjera të vendit. Mos prit mirëqenie përderisa qeveria nuk të ka në prioritet!
Në vendin e punës, tragjeditë përsëriten. Punëtorë humbin jetën, të drejtat e tyre shkelen çdo ditë, ndërsa në anën tjetër mungon numri i duhur i inspektorëve. Çmimet e produkteve bazike rriten pa kontroll, dhe qeveria shikon si spektatore. Mos prit mirëqenie përderisa qeveria nuk arrinë të mbajë situatën nën kontroll.
Krijimi i institucioneve ka ngecur për shkak të kapriçeve dhe interesave të ngushta partiake e personale. 57 seanca nuk konstituohet Kuvendi, rrjedhimisht nuk ka as qeveri dhe vendi mbetet pa drejtues. Po humben miliarda euro sepse ska kush të marrë vendim dhe të ekzekutojë! Mos prit mirëqenie përderisa vendi nuk ka Kuvend dhe as Qeveri e ska kush te merr vendime!
E mbi të gjitha, raportet ndërkombëtare janë shkatërruar. Kosova sot është nën sanksione, e izoluar dhe e përjashtuar nga bashkëpunimet me partnerët tradicionalë. Miqtë tanë kanë humbur besimin në këtë udhëheqje, e qytetarët po e paguajnë faturën. Mos prit mirëqenie përderisa qeveria nuk arrinë ruaj dhe të çoj përpara marrdhëniet me vendet mike!
E pra, pyetja është e thjeshtë: me popullin, apo me qeverinë që ka humbur rrugën? Sepse populli po e kërkon mirëqenien e mohuar, ndërsa qeveria vazhdon ta zhytë vendin në krizë pas krize.