Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Koordinatorin e ri të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, z. Stephen O’Malley.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e uroi z. O’Malley për detyrën e tij të re, duke i dëshiruar sukses në mandatin që sapo ka filluar.
Ajo vlerësoi lart punën e agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të cilat në bashkëpunim me institucionet vendore kanë kontribuar në avancimin e objektivave të përbashkëta.
Presidentja theksoi rëndësinë e projekteve që kanë për synim fuqizimin e të drejtave të njeriut, përfshirë mbështetjen për personat me nevoja të veçanta, promovimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ajo po ashtu veçoi rëndësinë e projekteve për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe nisma të tjera të cilat, sipas saj, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.