Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim njoftues Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, Luigi Bianco, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në vend.
Presidentja Osmani e uroi Nuncin Bianco për detyrën e re dhe shprehu bindjen se vizita e tij do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Ajo vlerësoi hapjen e Misionit të Kosovës në Vatikan si një arritje të rëndësishme, duke theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Vatikanin.
Gjatë takimit, Presidentja rikujtoi vizitën e saj në Vatikan dhe takimin me Papa Françeskun e ndjerë, të cilin e cilësoi si një moment të veçantë në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore dhe respektit të ndërsjellë mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
Tutje, Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë nën udhëheqjen e Papa Leos, duke u angazhuar për paqe, dialog ndërfetar dhe forcimin e vlerave universale të solidaritetit dhe humanizmit.

