Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar me një shkrim të gjatë, plot emocione dhe tone kritike ndaj mediave lidhur me sjelljen e gazterarëve ndaj vajzave të saja.
Në këtë reagim, Presidentja denoncoi publikisht disa media për, siç u shpreh ajo, “përndjekje të vazhdueshme, të kundërligjshme e të rrezikshme” ndaj fëmijëve të saj.
Deklarata nis me një ton personal, ku Osmani falënderon mësuesit dhe stafin e shkollës publike “Ismail Qemali” në Prishtinë, duke e pozicionuar veten si prind i zakonshëm.
Por pastaj në vazhdim, Presidentja Osmani kritikon mediat në mënyrë direkte për mosraportimin e faktit që fëmijët e saj ndjekin arsimin publik, në kontrast me shumë figura të tjera që zgjedhin shkolla private.
Në reagimin e saj, Presidentja vazhdon dhe ngre akuza të rënda ndaj gazetarëve për publikimin e vendndodhjes dhe pamjeve të vajzave të saj, duke e cilësuar këtë si rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre.
Presidentja në këtë shkrim sqaron poshtu se prania e policisë pranë fëmijëve të saj është e kërkuar me ligj dhe vjen si rezultat i vlerësimeve të institucioneve të sigurisë.
Presidentja ngre një dilemë të rëndësishme që sipas saj nuk po e kuptojnë gazetarët: A bie ekspozimi i fëmijëve të mitur brenda suazave të lirisë së shprehjes? Ajo argumenton se jo, duke paralajmëruar rreziqe të mundshme për sigurinë fizike dhe psikologjike të fëmijëve.
Presidentja deklaron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj mediave që, sipas saj, nuk kanë për qëllim informimin publik, por rrezikimin e jetës së fëmijëve.
Në fund, Osmani sqaron se ndryshimi i shkollës ka ardhur si pasojë e rrethanave të sigurisë dhe logjistikës. Ajo përmend gjithashtu se nuk ka kompetenca direkte në sistemin arsimor, duke e mbyllur deklaratën me një ton reflektiv.