Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj raportimeve mediatike që lidhen me mbrojtjen policore të vajzave të saj, duke sqaruar se kjo masë është e detyruar për shkak të kërcënimeve serioze që vijnë kryesisht nga individë serbë.
Në një deklaratë publike, Osmani theksoi se ndonëse vajzat e saj nuk e pëlqejnë praninë e vazhdueshme të trupave të sigurisë, ajo nuk ka zgjidhje tjetër përballë vlerësimeve të rrezikut që bëhen çdo gjashtë muaj nga Policia e Kosovës.
“Vajzat e mia e urrejnë këtë mbrojtje, por nuk është çështje preferencash. Është çështje sigurie dhe përgjegjësie prindërore,” tha Osmani, duke shtuar se kërcënimet me dhunë dhe jetë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme dhe edukimin e fëmijëve të saj.
Presidentja mohoi zërat se vajzat e saj marrin mësim të ndarë nga nxënësit e tjerë, duke e cilësuar këtë si spekulim të pabazë. Ajo theksoi se fëmijët e saj ndjekin mësimin në mënyrë të rregullt dhe të integruar, si çdo fëmijë tjetër në sistemin arsimor.
Në lidhje me arrestimin e një kameramani, Osmani sqaroi se ngjarja nuk kishte të bënte me mbrojtjen e fëmijëve të saj, por me ndalimin e incizimeve të paautorizuara, në përputhje me ligjet në fuqi.
“Ligji është i qartë për mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë. Nuk ka tolerancë për shkelje të tilla, pavarësisht motivit,” tha ajo.