Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në fshatin Dumnicë e Poshtme të Podujevës, pasi është hasur në një sipërfaqe prej një hektari të mbjellë me misër, brenda së cilës ishin të fshehura bimë narkotike të dyshuara si kanabis.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, gjatë kontrollit në terren janë gjetur dhe konfiskuar një peshore e madhe, një sasi e marihuanës, tre shirita, një paketim folie dhe një masë që dyshohet të jetë eksploziv i llojit TNT.
Eksplozivi është marrë në kontroll nga njësiti i deminimit.
Në vendin e ngjarjes janë identifikuar dhe asgjësuar gjithsej 1,769 bimë narkotike të dyshuara si kanabis.
I dyshuari, shtetas kosovar, është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

