Lazio e ‘shkatërron’ Juventusin, fiton pastër në “Allianz”

by Nexhat

Gennaro Gattuso u bë trajneri i parë i Lazios që fiton gjashtë nga shtatë ndeshjet e para në Serie A (me një barazim), pasi golat e dyshes daneze Oliver Provstgaard dhe Gustav Isaksen ndihmuan Biancocelestët ta mposhtin Juventusin me rezultat 3-0.

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, e ndoqi ndeshjen nga tribunat, pasi u dënua me një ndeshje pezullim nga zona teknike pas kartonit të kuq të marrë kundër Cagliarit të dielën e kaluar.

banner

Në vend të tij, ndihmëstrajneri Marco Domenichini qëndroi në zonën teknike. Kjo mund të ketë ndikuar te vendasit, të cilët në disa momente patën vështirësi për ta përballuar intensitetin e Lazios, ndonëse sulmuesit në formë, Randal Kolo Muani, iu anulua një gol në minutën e 24-t, pasi e dërgoi topin në rrjetë me volej nga pozita jashtë loje.

Si Kolo Muani, ashtu edhe Isaksen kishin shënuar në ndeshjet e mëparshme të kampionatit për skuadrat e tyre, ndërsa ky i fundit pati rastin e parë të pastër për Lazion, kur në minutën e 30-të gjuajti me kokë, por topi përfundoi jashtë portës.

Biancocelestët kaluan në epërsi në të njëjtën mënyrë, tetë minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur Mattia Zaccagni dërgoi një krosim të shkëlqyer në zonë dhe Provstgaard shënoi me kokë nga rreth gjashtë metra, duke realizuar golin e tij të parë për klubin.

Nuno Tavares ishte pranë dyfishimit të epërsisë gjashtë minuta më vonë, kur goditja e tij nga skaji i zonës u devijua nga Gleison Bremer dhe topi përfundoi në pjesën e sipërme të traversës. Porta e paprekur në pjesën e parë e ruajti rekordin mbresëlënës të Lazios, e cila para kësaj xhiroje ishte njëra nga vetëm dy skuadrat e Serie A që nuk kishin pësuar gol para pushimit.

Juventusit i mungoi cilësia në sulm gjatë 45 minutave të para, ndaj Nick Woltemade e zëvendësoi Kerim Alajbegovicin në pushim, në përpjekje për ta ndryshuar situatën.

Megjithatë, sulmuesi gjerman e shpërdoroi një rast të mirë, duke gjuajtur jashtë dhjetë minuta pas rifillimit të lojës. Kjo u kushtoi shtrenjtë vendasve, pasi Isaksen u fut nga brenda dhe lëshoi një goditje të fuqishme drejt rrjetës në mesin e pjesës së dytë. Ky ishte goli i dytë i danezit në stadiumin “Allianz” brenda dy sezoneve.

Kolo Muani gjuajti me kokë mbi traversë, por ishte Lazio ajo që shënoi në fund, kur zëvendësuesi Fisayo Dele-Bashiru depërtoi i vetëm drejt portës dhe shënoi golin e tij të parë të sezonit me një goditje të ulët, duke e mposhtur Guglielmo Vicario.

Kjo fitore e zgjat serinë e pamposhtur të Biancocelestëve në fillim të sezonit dhe i rikthen ata në vendin e dytë të tabelës, me pikë të barabarta me liderin Inter Milan. Përveçse shënon një moment historik për Gattuson, kjo është hera e parë që Lazio fiton gjashtë nga shtatë ndeshjet e para të kampionatit, përfshirë katër fitore radhazi në udhëtim.

Ndërkohë, fitorja e parë e Lazios në kampionat në fushën e Juventusit që nga viti 2017 e thellon serinë negative të Bianconerëve, të cilët kanë regjistruar vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, krahas dy barazimeve dhe dy humbjeve. Kjo humbje ia ndërpreu Juventusit edhe serinë e pamposhtur në shtëpi, duke e lënë skuadrën e Spallettit në vendin e tetë të tabelës

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy